
100 vjet nga paraqitja e Letrave Kredenciale të Faik Konicës në Shtëpinë e Bardhë
Në tetor të vitit 1926, Faik Konica, në cilësinë e të Dërguarit të Jashtëzakonshëm dhe Ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Calvin Coolidge në Shtëpinë e Bardhë.

Postimi i Ambasadës Shqiptare në SHBA
🇦🇱🇺🇸 100 VJET NGA PARAQITJA E LETRAVE KREDENCIALE TË FAIK KONICËS NË SHTËPINË E BARDHË
Tetori i vitit 2026 shënon 100-vjetorin e një momenti të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane. Në tetor të vitit 1926, Faik Konica, në cilësinë e të Dërguarit të Jashtëzakonshëm dhe Ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Calvin Coolidge në Shtëpinë e Bardhë, si përfaqësuesi i parë diplomatik i Shqipërisë i akredituar pranë qeverisë amerikane.
Me këtë rast, kam kënaqësinë dhe nderin të ndaj komunikimet e para zyrtare të Faik Konicës në cilësinë e përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, të ruajtura në Arkivin Kombëtar të SHBA-së (U.S. National Archives).
Shkrimtar, publicist, intelektual dhe diplomat i shquar, Faik Konica përfaqësoi Shqipërinë në një periudhë vendimtare për afirmimin e saj ndërkombëtar. Kontributi i tij ishte pjesë e përpjekjeve të para për të konsoliduar praninë diplomatike të vendit tonë në Shtetet e Bashkuara dhe për të forcuar lidhjet mes dy popujve.
Një shekull më parë, marrëdhëniet tona mbështeteshin në miqësinë dhe mirënjohjen e popullit shqiptar për mbështetjen amerikane ndaj pavarësisë dhe shtetësisë së Shqipërisë. Sot, kjo lidhje historike është shndërruar në një partneritet strategjik të qëndrueshëm, të mbështetur në aleancën tonë në NATO dhe në bashkëpunimin e ngushtë për sigurinë, demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe përballimin e sfidave të përbashkëta.
Njëqind vjet pas fillimit të misionit diplomatik të Faik Konicës, këto komunikime na kujtojnë rrugëtimin e diplomacisë shqiptare dhe kontributin e personaliteteve që hodhën themelet e marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto dokumente përbëjnë një dëshmi historike që na lidh me të kaluarën dhe na kujton se miqësia shqiptaro-amerikane është një trashëgimi për t’u ruajtur dhe një partneritet për t’u forcuar për brezat që vijnë.
*Mirënjohje e veçantë për Arkivin Kombëtar të Shteteve të Bashkuara (U.S. National Archives) për bashkëpunimin e çmuar, përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në identifikimin dhe sigurimin e këtyre dokumenteve historike.





















