
Rama: Dhuna në protestë e përgatitur prej muajsh, të dhënat në duart e Policisë së Shtetit
Kryeministri Edi Rama, në një komunikim në platformat e tij sociale, u ndal te protestat e zhvilluara në vend, duke pretenduar se ato janë ndikuar nga forca të tjera dhe se përshkallëzimi i dhunës është përgatitur prej muajsh.

Kryeministri Edi Rama, në një komunikim në platformat e tij sociale, u ndal te protestat e zhvilluara në vend, duke pretenduar se ato janë ndikuar nga forca të tjera dhe se përshkallëzimi i dhunës është përgatitur prej muajsh.
“Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kanë komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje, si një koment fyes për studentët”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se, që prej nisjes së protestës paqësore, i ka cilësuar legjitime arsyet e protestuesve për të kërkuar më shumë dhe më mirë, por sipas tij, protesta ka qenë e ndikuar edhe nga forca të tjera.
“Qysh se nisi protesta paqësore masive e flamingove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Arsyet për të protestuar dhe për të kërkuar më shumë dhe më mirë mund të jenë edhe të pafundme, por që qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë dhe të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vet”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se përshkallëzimi i protestave ishte përgatitur prej muajsh, duke iu referuar të dhënave që lidhen me futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive përmes doganave dhe subjekteve të caktuara.
“Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tanimë në duart e Policisë së Shtetit”, u shpreh Kryeministri.
Rama foli gjithashtu për organizimin e grupeve që i lidhi me rrjetin “ANTIFA”, të cilin e përshkroi si një rrjet të terrorit urban, që vepron në emër të neo-komunizmit, anarkisë dhe antikapitalizmit.
“Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neo-komunizmit, anarkisë dhe antikapitalizmit ka vendosur të futet në jetën e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë së Shtetit”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se policia ka në duar edhe të dhëna për disa nga pjesëmarrësit në aktet e dhunshme, të cilat i cilësoi si të financuara nga krimi i organizuar dhe forca të huaja.
“Por në duart e Policisë së Shtetit janë edhe pjesëmarrësit, apo më saktë një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para e ardhur nga jashtë, ku padyshim qershia mbi tortë, ose më saktë glasa mbi tortë, është Partia Demokratike, e cila dje mori edhe autorësinë e dhunës te Ministria e Arsimit, e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit”, u shpreh Rama.
Marrë nga ATSH



















