
Rama: Protestat u shoqëruan me manipulim të realitetit, policia ishte pjesa më e dëmtuar
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat e javës së fundit, duke deklaruar se liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme e çdo qytetari, ndërsa dhuna është një krim i pajustifikueshëm.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat e javës së fundit, duke deklaruar se liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme e çdo qytetari, ndërsa dhuna është një krim i pajustifikueshëm.
“Jam këtu për të ndarë me ju një nga komponentët e asaj që ndodhi në ditët e terrorit psikologjik mbi kryeqytetin dhe mbi popullin e Shqipërisë. Komponent që po zbërthehen dhe po çmontohen hap pas hapi”, u shpreh Rama në komunikimin e tij në platformat sociale.
Rama përsëriti se liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme dhe e padiskutueshme e çdo qytetari, ndërsa theksoi se dhuna nuk mund të justifikohet.
“Për fat të keq, në protestat e javës së fundit u bënë bashkë të dyja: nga njëra anë, liria për të protestuar si një e drejtë e pamohueshme dhe, nga ana tjetër, dhuna si një krim që u relativizua dhe jo vetëm kaq, por u glorifikua në ekranet e korruptuara të mbrëmjeve mediatike”, deklaroi kryeministri.
Ai tha se, qytetarët në Shqipëri dhe jashtë saj ndoqën me ankth zhvillimet e protestave dhe u përballën me një perceptim që e cilësoi të rremë.
“Pa pushim e pa pushim, orë e çast, Shqipëria dhe shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, panë me ankth sesi terrori mori peng të gjithë dhe u mbingarkuan me idenë tërësisht të rreme se studentë të pafajshëm, studentë idealistë, studentë të dalë në rrugë për të çliruar Shqipërinë, u vunë nën dhunën policore”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi këtë paraqitje të ngjarjeve si “një përmbysje dramatike manipuluese të një realiteti tërësisht tjetër”.
Rama u ndal te raporti mes punonjësve të policisë së plagosur dhe protestuesve apo kalimtarëve të lënduar gjatë manifestimeve në Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës.
“Kam ndarë me ju raportet e policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në Evropë dhe në Shqipëri. Në vendet ku ka ndodhur diçka e ngjashme dhe në Tiranë, ku faktikisht ka pasur më shumë se dy punonjës policie të plagosur për një protestues apo kalimtar të lënduar, ndërkohë që në të gjitha vendet e tjera raporti është tërësisht i ndryshëm”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se, sipas tij, gjatë manifestimeve të fundit në Tiranë, policia ka qenë pala më e dëmtuar nga përplasjet.
“Nuk bën vaki që në një manifestim apo në një seri manifestimesh pjesa më e dëmtuar, më e plagosur, më e dhunuar të jetë policia. Ka bërë vaki këtu, me shifra dhe me fakte. Përtej asaj që u krijua e përsërit në ekranet e korruptuara. Por për ekranet e korruptuara do të ketë një kohë të dytë për të folur”, deklaroi Rama.
Burimi ATSH



















