
Malaj: Forcohet siguria e pagesave elektronike dhe kontrolli mbi transaksionet e dyshimta
Ministri i Financave, Petrit Malaj në një reagim në rrjetet sociale e cilësoi miratimin e dy ligjeve si hapa të tjerë konkretë drejt një sistemi financiar më të sigurt, më transparent dhe më pranë standardeve të BE-së

Pavarësisht tensioneve dhe bllokimit të foltores nga opozita, në Kuvend u miratuan dy ligje të rëndësishme për ekonominë, sigurinë financiare dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj në një reagim në rrjetet sociale e cilësoi miratimin e dy ligjeve si hapa të tjerë konkretë drejt një sistemi financiar më të sigurt, më transparent dhe më pranë standardeve të BE-së.
“Miratuam ndryshimet në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, me anë të cilit do të ofrohet më shumë siguri për pagesat elektronike, transparencë për tarifat, mbrojtje më e fortë për konsumatorët dhe përafrim me standardet e Bashkimit Europian”, tha Malaj.
Ministri Malaj theksoi se “miratuam edhe ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili forcon kontrollin ndaj transaksioneve të dyshimta, rrit transparencën e pronësisë së bizneseve, vendos rregulla për kriptoasetet dhe kufizon pagesat cash në transaksionet tregtare në 10 mijë euro”.
Malaj tha se “debati politik është pjesë e demokracisë, por puna për reformat dhe modernizimin e ekonomisë nuk mund të ndalet”.
Burimi ATSH



















