
Jaupaj: Forcojmë kuadrin mjedisor sipas standardeve të BE-së
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, prezantoi në Kuvend projektligjin për disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, prezantoi në Kuvend projektligjin për disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit” duke theksuar se ndërhyrjet kryesore lidhen me restaurimin e natyrës, certifikimin e largimit të karbonit dhe funksionalizimin e Fondit Kombëtar të Mjedisit.
Në fjalën e tij ministri Jaupaj tha se projektligji synon të krijojë bazën institucionale dhe administrative për përafrimin e politikave mjedisore të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Sa i përket restaurimit të natyrës, ministri u shpreh se projektligji krijon bazën për ndërtimin e arkitekturës institucionale dhe administrative të nevojshme për zbatimin e Rregullores së Bashkimit Evropian për restaurimin e natyrës.
“Ky është drejtimi i ri i politikës europiane për biodiversitetin dhe restaurimin e natyrës dhe për këtë arsye projektligji krijon bazën që Shqipëria të ndërtojë që tani arkitekturën institucionale dhe administrative të nevojshme për zbatimin e rregullores së Bashkimit Europian 2024-1991 për restaurimin e natyrës”, tha Jaupaj.
Sipas tij, Ministria e Mjedisit do të ketë rolin e autoritetit kombëtar koordinues, ndërsa do të përcaktohen qartë përgjegjësitë e institucioneve që mbulojnë biodiversitetin, zonat e mbrojta, pyjet, ujërat, bujqësinë, peshkimin, mjedisin detar, planifikimin territorial, infrastrukturën dhe energjinë.
Gjithashtu, vijoi Jaupaj, do të ndërtohen mekanizmat për shkëmbimin e të dhënave, inventarizimit dhe hartëzimit të ekosistemeve si dhe hartimin e planit kombëtar të rimëkëmbjes së natyrës.
Ministri Jaupaj vuri në dukje se çështja e dytë e këtij projektligji lidhet me certifikimin e largimit të karbonit.
“Për herë të parë krijojmë bazën ligjore për zhvillimin e skemave vullnetare të certifikimit të aktiviteteve që kontribuojnë në largimin dhe ruajtjen e karbonit apo në reduktimin e emetimeve. Me krijimin e një sistem të verifikueshëm certifikimi krijojnë kushtet për të nxitur investime në projekte që rrisin kapacitetet natyrore dhe për të rritur interesin e sektorit privat në projekte me përfitime mjedisore të matshme. Kjo dispozitë nuk krijon detyrime të menjëhershme për qytetarët apo operatorët ekonomikë, por krijon bazën për ngritjen graduale të një sistemi vullnetar, transparent dhe të certifikueshëm në përputhje me standardet dhe praktikat europiane”, nënvizoi Jaupaj.
Duke u ndalur tek Fondi Kombëtar i Mjedisit, Jaupaj tha se me këtë projektligj synojmë funksionalizimin e Fondit Kombëtar të Mjedisit të hartuar që në vitin 2011 si një instrument publik që do të mundësojë mbështetjen më të strukturuar të projekteve dhe veprimtarive mjedisore.
“Mbështetja do të mund të jepet nëpërmjet granteve apo instrumenteve të tjerë financiarë duke vendosur njëkohësisht mekanizma të qartë për vlerësimin dhe përzgjedhjen e projekteve. Fondi Kombëtar i Mjedisit do të funksionojë brenda afateve buxhetore të Ministrisë Përgjegjëse për Mjedisin, duke synuar që fondet publike të përdoren në mënyrë të strukturuar, transparente dhe efektive”, tha Jaupaj.
Ministri Jaupaj u shpreh se “në thelb ky projektligj forcon kapacitetet që kemi, përcakton më qartë mekanizmat e zbatimit dhe krijon instrumente që na duhen për të realizuar politikat mjedisore në kuadër të akisë së Bashkimit Europian”.
Ministri Jaupaj ftoi deputetë që ta votojnë dhe ta mbështesni këtë projektligj.
/Marrë nga ATSH


















