
Ibrahimaj: Klima e biznesit u përmirësua, protestat sollën lëkundje për shkak të anulimeve në turizëm
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha sot se të dhënat Bankës së Shqipërisë për muajin gusht për klimën e biznesit tregojnë për një përmirësim të klimës së biznesit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha sot se të dhënat Bankës së Shqipërisë për muajin gusht për klimën e biznesit tregojnë për një përmirësim të klimës së biznesit.
Gjatë një konference për mediet, Ibrahimaj tha se treguesit e Bankës së Shqipërisë matin në baza mujore besimin në ekonomi, si në sektorë të ndryshëm të biznesit, ashtu edhe te konsumatorët. Sipas saj, gjatë vitit ka pasur luhatje të këtyre treguesve, por ato kanë qëndruar përgjithësisht pranë mesatares historike.
“Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë për hir të vërtetës, për sa i përket klimës së biznesit, tregon për një përmirësim të klimës së biznesit në muajin gusht. Këto janë raporte mujore, është një vlerësim mujor që Banka e Shqipërisë kryen, ku mat qoftë besimin në ekonominë e sektoreve të ndryshëm të ekonomisë, por edhe qoftë besimin e konsumatorëve. Sipas muajve, ka pasur ndryshime gjatë vitit në besimin e biznesit dhe konsumatorit. Megjithatë, në dijeninë time kanë qenë gjithmonë pranë mesatares historike”, tha ajo.
Ministrja theksoi se ngjarjet e muajit qershor, kur protestat shënuan një intensitet më të lartë, patën ndikim edhe në besimin e biznesit dhe në aktivitetin ekonomik.
Ajo theksoi se turizmi është i lidhur ngushtë edhe me sektorë të tjerë të ekonomisë, përfshirë tregtinë dhe transportin, pasi shpenzimet e turistëve ndikojnë në një sërë aktivitetesh ekonomike.
“Pa diskutim që ngjarjet që kanë ndodhur në muajt e fundit, sidomos ngjarjet e ndodhura në gjatë muajit qershor, pra kur protesta ishte në një nivel numrash më të lartë, pati një ndikim qoftë në, qoftë në besimin e biznesit, qoftë në edhe në ecurinë e biznesit, pasi sigurisht që nga informacioni paraprak që ne e kemi marrë, gjatë muajit qershor ka pasur një nivel të lartë anulimesh të rezervimeve të turizmit, dhe turizmi nuk lidhet vetëm me sektorin e turizmit, por lidhet dhe me sektorë të tjerë, sepse turistët konsumojnë, pra lidhet edhe me, me tregtinë, edhe me transportin, pra është i ndërlidhur me shumë sektorë të tjerë”, tha Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, këto zhvillime sollën lëkundje të besimit të biznesit gjatë qershorit, por të dhënat më të fundit tregojnë se situata ka nisur të rikuperohet.
“Pra, pa diskutim që në atë muaj ka pasur le të themi lëkundje të besimit të biznesit. Sigurisht që ka ardhur duke u rikuperuar sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë”, tha ajo.
/Burimi ATSH



















