
Java Europiane e Sportit, mbi katër mijë pjesëmarrës në 72 shkolla
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se një element i rëndësishëm i aktiviteteve është edhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara.

Java Europiane e Sportit po zhvillohet në 72 shkolla në të gjithë vendin, ku në vetëm dy ditët e para të aktiviteteve janë përfshirë mbi katër mijë pjesëmarrës.
Në kuadër të fushatës BeActive, fëmijë dhe të rinj të moshës 6–18 vjeç, së bashku me mësues, prindër dhe anëtarë të komunitetit, po marrin pjesë në aktivitete të ndryshme sportive, me synim nxitjen e lëvizjes, bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes në sport.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se një element i rëndësishëm i aktiviteteve është edhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara.
Rama tha se “në dy ditët e para, në aktivitetet sportive janë përfshirë të paktën 87 pjesëmarrës me aftësi të kufizuara”.
“T’i krijojmë çdo fëmije mundësinë të marrë pjesë, të ndihet i barabartë dhe të zbulojë kënaqësinë e sportit”, shkruan Rama.
Java Europiane e Sportit zhvillohet në periudhën 21–30 shtator dhe përmes nismës BeActive synon të afrojë fëmijët dhe të rinjtë me aktivitetin fizik dhe sportin, duke nxitur pjesëmarrjen e komunitetit shkollor.

















