
Financimi afatgjatë, në konsultim projektligji për obligacionet e mbuluara
Ministria e Financave ka nisur konsultimin publik për një projektligj të ri që synon të krijojë tregun e obligacioneve të mbuluara, që janë hua afatgjata që bankat marrin nga investitorët.

Ministria e Financave ka nisur konsultimin publik për një projektligj të ri që synon të krijojë tregun e obligacioneve të mbuluara, që janë hua afatgjata që bankat marrin nga investitorët.
Projektligji “Për emetimin e obligacioneve të mbuluara dhe mbikëqyrjen e tyre”, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), përcakton rregullat që do të ndiqen nga bankat dhe institucionet e kreditit për krijimin, emetimin dhe administrimin e këtyre instrumenteve.
Në thelb, obligacionet e mbuluara do të mbështeten nga një portofol i veçantë aktivesh me cilësi të lartë, i cili mbahet i ndarë nga aktivet e tjera të institucionit emetues.
Kuadri i propozuar përcakton që ky portofol të jetë gjatë gjithë kohës në përputhje me detyrimet që garanton. Për këtë qëllim parashikohet një nivel minimal mbikolateralizimi prej 5%, ndërsa aktivet duhet të jenë të pranueshme, të identifikueshme, të vlerësuara me kujdes dhe të regjistruara në një regjistër të posaçëm.
Një tjetër element i rëndësishëm është kërkesa për rezervë likuiditeti gjatë 180 ditëve të ardhshme.
Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu monitorim të pavarur të grupit të mbulimit, administrim të rreziqeve dhe kryerje periodike të provave të rezistencës. Investitorët duhet të kenë akses në informacion të vazhdueshëm mbi përbërjen dhe cilësinë e aktiveve, nivelin e mbulimit dhe strukturën e maturimeve.
Projektligji përcakton një procedurë të posaçme për miratimin e programeve të obligacioneve të mbuluara, nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Sipas relacionit, krijimi i këtij kuadri synon të zgjerojë alternativat e financimit për institucionet e kreditit dhe të diversifikojë burimet e financimit afatgjatë në tregun shqiptar. Në fokus është edhe orientimi i kursimeve institucionale drejt financimit hipotekor, sektorit publik dhe ekonomisë reale.
Projektligji synon njëkohësisht përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian për obligacionet e mbuluara dhe forcimin e infrastrukturës së tregut financiar për integrimin gradual me mekanizmat evropianë.
Në kuadër të konsultimit publik, palët e interesuara mund të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre për projektligjin pranë Ministrisë së Financave.
Burimi ATSH



















