
Malaj publikon pagat që kërkojnë magjistratët: Efekti në buxhet 40 milionë euro shtesë çdo vit
Ministri i Financave, Petrit Malaj reagoi sot lidhur me kallëzimin penal të depozituar ndaj tij, sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorëve të Thesarit në të gjithë vendin, për qëndrimin e mbajtur lidhur me zbatimin e vendimeve për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ministri i Financave, Petrit Malaj reagoi sot lidhur me kallëzimin penal të depozituar ndaj tij, sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorëve të Thesarit në të gjithë vendin, për qëndrimin e mbajtur lidhur me zbatimin e vendimeve për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në një reagim publik, Malaj deklaroi se drejtuesit e Ministrisë së Financave kanë refuzuar të kryejnë pagesa nga Thesari i Shtetit pa një vendim të Parlamentit, duke theksuar se çështja e pagave do të adresohet përmes ndryshimeve ligjore.
“Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë. Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët”, u shpreh Malaj.
Sipas ministrit, qeveria dhe përfaqësuesit e Parlamentit kanë deklaruar se çështja e pagave do të adresohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa sipas tij, ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit pritet të miratohet më 17 shtator.
Malaj bëri publike edhe efektet financiare që, sipas tij, do të kishte zbatimi i kërkesave për rritjen e pagave.
Për një gjyqtar të Shkallës së Parë, paga aktuale, sipas shifrave të publikuara nga ministri, është 376 381 lekë, ndërsa kërkohet 567 421 lekë. Për gjyqtarët e Shkallës së Dytë, paga aktuale është 388 927 lekë, ndërsa kërkesa është për 586 335 lekë.
Ndërsa për gjyqtarët e Grupit III në GJKKO, Malaj tha se paga aktuale është 659 920 lekë, ndërsa kërkohet 994 877 lekë.
Sipas ministrit të Financave, efekti i përgjithshëm në buxhetin e shtetit nga këto kërkesa do të ishte rreth 40 milionë euro shtesë në vit.
Malaj deklaroi gjithashtu se magjistratët kërkojnë rishikimin e pagave për periudhën 2023-2026, me një efekt të pretenduar në buxhetin e shtetit prej 125 milionë eurosh.
Në reagimin e tij, ministri u bëri thirrje drejtuesve të Thesarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm që të vijojnë detyrën pa u intimiduar dhe në përputhje me ligjin.
“Duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji”, deklaroi Malaj.
Marrë nga ATSH



















