
Ratifikimi i Konventës së KiE për IA, Gogu: Mbrojtja e qytetarit në qendër të përdorimit të teknologjisë
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se Shqipëria po hyn në një fazë ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë pjesë e marrëdhënies së përditshme mes qytetarëve dhe administratës publike.

Teknologjia dhe inteligjenca artificiale po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në marrëdhënien mes qytetarit dhe administratës publike, duke sjellë njëkohësisht nevojën për garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
Kjo ishte në fokus të diskutimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku u shqyrtua projektligji për ratifikimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se Shqipëria po hyn në një fazë ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë pjesë e marrëdhënies së përditshme mes qytetarëve dhe administratës publike.
Duke iu referuar digjitalizimit të shërbimeve publike, Gogu deklaroi se mbi 95% e shërbimeve ndaj qytetarëve janë digjitalizuar, ndërsa mbi 3.5 milionë përdorues janë të regjistruar në platformën e-Albania, përmes së cilës janë kryer rreth 74 milionë aplikime.
Sipas ministrit, një nga çështjet kryesore që adreson konventa është mbrojtja e qytetarit në rastet kur në marrëdhënien e tij me shtetin ndërhyn një algoritëm apo sistem i inteligjencës artificiale.
“Thelbi i konventës është që qytetari duhet të dijë fare mirë se si merret një vendim për të edhe kur në mes është inteligjenca artificiale. Ai duhet të dijë se si ta kuptojë dhe në rast se të drejtat e tij shkelen duhet të ketë potencialin për ta kundërshtar atë”, tha ai.
Gogu nënvizoi se konventa nuk synon të kufizojë zhvillimin teknologjik, por të krijojë një kuadër të sigurt ligjor për përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Një shtet teknologjikisht më i zgjuar nuk mund të nënkuptojë një qytetar më të pambrojtur”, u shpreh ministri.
“”Kjo është qasja e Qeverisë, ky është ekosistemi i ri që qeveria ka ndërtuar dhe vazhdon të përmirësojë sa i përket marrëdhënies me qytetarin. Kjo konventë na jep standard. Kjo konventë nuk ka lidhje me inteligjencën artificiale për sa i përket mënyrës se si përdoret ajo. Kjo konventë na jep standardin se si të mbrojmë të drejtat e njeriut dhe të qytetarit, si t’i respektojmë ato dhe të mbrojmë shtetin ligjor në epokën e digjitalizimit dhe të inteligjencës artificiale. Kjo konventë na tregon se si duhet ta përdorim inteligjencën artificiale në shërbim të qytetarëve, pa cenuar të drejtat e tyre, rregullat e shtetit demokratik dhe pa cenuar sundimin e ligjit”, vijoi Gogu.
Gogu tha se administrata publike duhet të jetë më e shpejtë dhe efikase dhe, për këtë arsye, duhet të përdorë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, por njëkohësisht qytetarët duhet të jenë më të mbrojtur përballë fuqisë që sjell përdorimi i këtyre mjeteve.
Gjatë diskutimit, deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ngriti pyetje lidhur me masat kufizuese që parashikon konventa për përdorimin e inteligjencës artificiale në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Ndoja iu referua edhe projektit për “Smart City” dhe detyrimeve që lidhen me proporcionalitetin e vendimmarrjes, të parashikuara në nenin 16 të konventës, duke pyetur nëse është kryer konsultimi publik dhe testi i përputhshmërisë për këtë projekt.
Marrë nga ATSH


















