
Hoxha në konferencën e ABNA-SE “Ballkani takohet në Trieste”: Zgjerimi e bën Bashkimin Evropian më të fortë e të sigurt
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ishte një ndër folësit kryesor në konferencën “Ballkani takohet në Trieste” organizuar sot nga agjencia e lajmeve italiane, ANSA në kuadër të Asamblesë së 34-t të Përgjithshme të Aleancës së Agjencive të lajmeve në Ballkan dhe në Europën Juglindore (ABNA-SE) në bashkëpunim me Rajonin Friuli Venezia Giulia dhe Nismën e Evropës Qendrore (CEI).

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ishte një ndër folësit kryesor në konferencën “Ballkani takohet në Trieste” organizuar sot nga agjencia e lajmeve italiane, ANSA në kuadër të Asamblesë së 34-t të Përgjithshme të Aleancës së Agjencive të lajmeve në Ballkan dhe në Europën Juglindore (ABNA-SE) në bashkëpunim me Rajonin Friuli Venezia Giulia dhe Nismën e Evropës Qendrore (CEI).
Komunikimin strategjik lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe lufta kundër dezinformimit, janë dy temat themelore të kësaj Konference me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të CEI-së, OSBE-së, drejtuesve të agjencive të lajmeve nga 12 vende, anëtare të ABNA-SE, mes të cilëve edhe drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, përfaqësues nga organizata ndërkombëtare të medieve, zyrtarë të lartë të pushtetit vendor në Trieste etj.
Në panelin me temë, “Zgjerimi, Komunikimi Strategjik dhe Kundërvënia ndaj Dezinformimit”, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi se objektivi i Qeverisë shqiptare është që t’i përfundojë negociatat dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian deri në vitin 2027.
Kryediplomati shqiptar solli në kujtesë se “në vitin 2003, në Selanik, Bashkimi Evropian premtoi se Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e Evropës”.
“Në vitin 2003, ai ose ajo që ishte 18 vjeç në atë kohë, sot do të ishte 41 vjeç. Ai tani do të ishte martuar, do të kishte fëmijë, dhe fëmijët e tij tashmë do të ishin të rritur. E megjithatë, ne ende jemi jashtë BE-së. Pra, premtimi i bërë 23 vjet më parë, një brez më parë, nuk është realizuar. Për fat të mirë, dhe nuk mund të ishim më të lumtur, gjërat kanë ndryshuar në shkurt të vitit 2022”, nënvizoi Hoxha.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur të shohim se gjërat kanë ndryshuar thellësisht dhe se zgjerimi sot është në thelb të politikave të Bashkimit Evropian. Pak ditë më parë, Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin, po fliste para ambasadorëve të Kroacisë. Dhe ajo tha diçka shumë të rëndësishme. “Zgjerimi sot nuk ka të bëjë thjesht me zgjerimin e Bashkimit Evropian në numër, me më shumë vende anëtare — një, dy, tre apo sa të jenë. Ka të bëjë me një Bashkim Evropian më të fortë dhe më të sigurt”. Pikërisht kështu e shohim edhe ne. Për ne, kjo nuk është diçka e re. Ne e kemi ditur gjithmonë se kështu ka qenë”, nënvizoi ministri.
Hoxha solli në vëmendje faktin se Bashkimi Evropian ka pasur gjithmonë një histori zgjerimi. “Deri më tani kanë ndodhur shtatë raunde zgjerimi. Nga gjashtë vendet themeluese, në 28 vende anëtare dhe më pas në 27 – dhe 28-ta, Britania e Madhe, tashmë po e kupton me keqardhje vendimin e saj për t’u larguar”.
Por sipas tij, “çdo histori zgjerimi e ka bërë Bashkimin Evropian më të madh, më të fuqishëm, më të sigurt, më të zhvilluar dhe më të begatë”.
Ministri u shpreh se “nuk ka asnjë qytetar që të mos ketë përfituar realisht nga kjo Evropë që ju keni dhe e çmoni”.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, ministri i Jashtëm foli edhe për dy raportet e Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë duke nënvizuar se “gjithçka që përmendëm – polarizimin politik, shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit, luftën kundër korrupsionit – janë pjesë e detyrave tona”.
“Pikërisht këtë po bëjmë përmes procesit të negociatave, sepse e dimë ende se kemi gjëra për të bërë. Procesi i negociatave është ura që ndërtohet midis vendit ku jemi dhe vendit ku synojmë të shkojmë”, u shpreh kryediplomati shqiptar.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha foli edhe për Kosovën duke nënvizuar se “është një shtet i pavarur, një vend që duhet të njihet”.
“Nuk do të pretendoj të them se nuk kemi dallime thelbësore me Serbinë. Ne jemi në kahe të kundërta për sa i përket Kosovës. Kosova është një shtet i pavarur, një vend që duhet të njihet. Në një situatë të tillë, të gjithë duhet të ndihmojnë realisht këtë vend, për të forcuar institucionet, demokracinë dhe sovranitetin, dhe sigurisht gjithçka që kontribuon në përmirësimin e vendit”, tha Hoxha.
Ministri shtoi gjithashtu se “ne nuk pajtohemi me Rusinë. Ne mendojmë se Rusia është agresori. Ne mendojmë se Rusia duhet të jetë nën subjektin e sanksioneve dhe mendojmë se duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për mbrojtjen e Ukrainës; bëhet fjalë edhe për mbrojtjen e Evropës”.
Por, shtoi ai, sërish, ne jemi në të njëjtin rajon dhe duhet të shohim nëse ka fusha apo çështje të tjera ku mund të bashkëpunojmë normalisht.
Ai theksoi se “një gjë është të kemi dallime; gjë tjetër është të përpiqemi të shohim dhe të eksplorojmë çdo mundësi”. “Në këtë kuptim, marrëdhëniet tona me Serbinë janë shumë pragmatike. Ne jemi në të njëjtin rajon dhe shohim mundësi të reja për të punuar së bashku. Dhe një nga investimet më të mëdha, që po bëhet edhe në Bashkimin Evropian, është përpjekja që kemi bërë për të qenë vërtet promovues të bashkëpunimit të mirë rajonal”, deklaroi ministri Hoxha.
Ministri i Jashtëm shqiptar dënoi glorifikimin e Ratko Mladić nga Serbia duke u shprehur se “i gjithë Bashkimi Evropian është shprehur në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat qëndrime, sepse kjo është një fyerje ndaj viktimave. Kjo nuk ndihmon pajtimin”.
Në konferencë mbajtën fjalë Kryetari i Bashkisë së Triestes, Kryetari i Bashkisë së Triestes, Roberto Dipiazza dhe Sekretari i përgjithshëm i Iniciativës së Evropës Qendrore, Franco Dal Mas.
Një tjetër panel u përqendruar më specifikisht te liria e shtypit, me pjesëmarrjen e Barbara Trionfi nga OSBE, Paula Gori e European Digital Media Observatory (EDMO) si dhe Oliver Vujovic nga South East Europe Media Organisation (SEEMO), etj.
Burimi ATSH


















