
Përurohet në katedralen e Shën Palit në kryeqytet, shtatorja e Nënë Terezës
Në 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, në katedralen e Shën Palit në Tiranë është përuruar paraditen e sotme shtatorja e re kushtuar shenjtores shqiptare

Në 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, në katedralen e Shën Palit në Tiranë është përuruar paraditen e sotme shtatorja e re kushtuar shenjtores shqiptare, në një ceremoni ku morën pjesë Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit Imzot Arjan Dodaj dhe dhjetëra qytetarë.
Shtatorja e Nënë Terezës, e vendosur në oborrin e Katedrales së Shën Palit, e paraqet shenjtoren me dorën e ngritur në shenjë bekimi, duke sjellë një tjetër simbol të kujtesës dhe nderimit për figurën e saj.

Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj dhe nunci apostolik në Shqipëri Imzot Miroslav Adamczyk, drejtuan ceremoninë, ndërsa qytetarë të shumtë iu bashkuan aktivitetit për të nderuar figurën dhe veprën e Nënë Terezës.
Përmes përurimit të shtatores, Nënë Tereza rikthehet edhe një herë si një simbol i dashurisë, përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë dhe i vlerave të paqes e solidaritetit.
Nënë Tereza mbetet një prej figurave më të rëndësishme me origjinë shqiptare dhe simbol i përkushtimit ndaj njerëzimit, ndërsa 10-vjetori i shenjtërimit të saj është shënuar me aktivitete përkujtimore dhe fetare në Shqipëri dhe më gjerë.
Marrë nga ATSH



















