
Java Kulturore e Maqedonisë së Veriut në Shqipëri, nga muzika klasike te tingujt e folklorit
Muzika, folklori, poezia dhe arti maqedonas kanë mbërritur në Shqipëri, në kuadër të “Javës Kulturore të Maqedonisë së Veriut”, aktivitet që nisi dje më 3 shtator dhe do të vijojë deri më 6 shtator.

Muzika, folklori, poezia dhe arti maqedonas kanë mbërritur në Shqipëri, në kuadër të “Javës Kulturore të Maqedonisë së Veriut”, aktivitet që nisi dje më 3 shtator dhe do të vijojë deri më 6 shtator.
Java Kulturore ka nisur me një koncert të veçantë të zhvilluar në sallën e Koncerteve të Kishës Ortodokse, Tiranë që bashkoi muzikën klasike me traditën folklorike maqedonase, duke sjellë për publikun shqiptar një panoramë të pasurisë dhe larminë e kulturës së vendit fqinj.
Në skenë u ngjit Orkestra e Dhomës “ConTempora”, e cila interpretoi vepra të kompozitorëve maqedonas, ndërsa Ansambli i Valleve Popullore “EuroArt” solli atmosferën e folklorit përmes valleve, këngëve, kostumeve tradicionale dhe tingujve autentikë të instrumenteve popullore.
Rreth 80 artistë janë bërë pjesë e programit artistik, duke përcjellë energjinë, ngjyrat dhe traditat e Maqedonisë së Veriut përmes një spektakli që ndërthur trashëgiminë kulturore me shprehjet artistike bashkëkohore.
Aktiviteti, që zhvillohet nga 3 deri më 6 shtator, përfshin një program të larmishëm me muzikë tradicionale, folklor, poezi, art pamor dhe krijimtari bashkëkohore, duke u dhënë mundësi publikut shqiptar të njohë më nga afër kulturën dhe skenën artistike të Maqedonisë së Veriut.
“Java Kulturore e Maqedonisë së Veriut” vjen si një mundësi për forcimin e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve fqinje, ku arti dhe trashëgimia shërbejnë si ura komunikimi dhe afrimi mes popujve.
Përmes aktiviteteve të parashikuara gjatë ditëve në vijim, traditat e hershme maqedonase do të ndërthuren me format moderne të shprehjes artistike, duke krijuar një hapësirë për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim kulturor mes artistëve dhe publikut të dy vendeve.
Java Kulturore e Maqedonisë së Veriut është pjesë e aktiviteteve që synojnë të sjellin në Shqipëri kulturat e vendeve të rajonit dhe të nxisin njohjen e ndërsjellë përmes artit dhe kulturës.
Mbrëmjen e sotme në Durrës në kuadër të Javës Kulturore të Maqedonisë së Veriut, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje të veçantë me Orkestrën e Dhomës Ajga, një prej formacioneve më të njohura të muzikës së dhomës në Maqedoninë e Veriut.
Nën drejtimin e Maestro Ivan Eminović, orkestrës do t’i bashkohet një program që ndërthur repertorin klasik me krijimtarinë e kompozitorëve maqedonas.
Burimi ATSH



















