
Nisma “BESA”, Jaupaj mbledh strukturat e AKZM-së: Më shumë prani në terren
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkoi më shumë efikasitet, koordinim dhe bashkëpunim institucional për menaxhimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura në të gjithë vendin.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkoi më shumë efikasitet, koordinim dhe bashkëpunim institucional për menaxhimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura në të gjithë vendin.
Në kuadër të nismës “BESA”, Jaupaj zhvilloi një takim me strukturat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) në të gjithë territorin e vendit, me fokus forcimin e pranisë në terren dhe afrimin më të madh me qytetarët.
Ministri theksoi se komunikimi dhe dëgjimi i qytetarëve duhet të jenë pjesë e përditshme e punës së strukturave të AKZM-së, ndërsa shqetësimet, denoncimet dhe sugjerimet për zonat e mbrojtura duhet të ndiqen dhe të marrin përgjigje konkrete.
“Kërkova më shumë eficiencë, koordinim dhe bashkëpunim institucional, për një mbrojtje më të mirë të pasurive tona natyrore dhe një administratë që reagon në kohë dhe është gjithmonë e pranishme aty ku nevojitet”, u shpreh Jaupaj.
Ai nënvizoi se mbrojtja e natyrës nis në territor dhe forcohet përmes përfshirjes së qytetarëve në ruajtjen e pasurive natyrore.
Takimi synoi gjithashtu rritjen e bashkëpunimit ndërmjet strukturave të AKZM-së dhe komuniteteve lokale, me qëllim reagimin më të shpejtë ndaj problematikave dhe përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura.
Burimi ATSH



















