
Nga Karaburuni te Syri i Kaltër dhe Butrinti, mbi 494 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura të qarkut Vlorë
Vlora vijon të mbetet një nga qarqet me pasuri të veçantë natyrore në Shqipëri, ku ndërthuren ekosistemet detare e tokësore, biodiversiteti i pasur dhe peizazhet karakteristike të jugut të vendit.

Vlora vijon të mbetet një nga qarqet me pasuri të veçantë natyrore në Shqipëri, ku ndërthuren ekosistemet detare e tokësore, biodiversiteti i pasur dhe peizazhet karakteristike të jugut të vendit.
Në territorin e qarkut të Vlorës shtrihen disa prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit, të cilat përfaqësojnë jo vetëm një pasuri të rëndësishme ekologjike, por edhe destinacione turistike gjithnjë e më të frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Në qarkun e Vlorës ndodhen zonat e mbrojtura; Parku Kombëtar Detar “Karaburun Sazan”, Parku Kombëtar i Butrintit, Parku Kombëtar “Llogora”, Parku Kombëtar “Butrint”, Peizazhi i Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, Parku Natyror Porto Palermo, Syri i Kaltër dhe Parku Natyror Karaburun.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë, Anduel Tahiraj tha sot për ATSH-në se “zonat e mbrojtura në qarkun e Vlorës vijojnë të jenë ndër destinacionet më të frekuentuara turistike, duke regjistruar gjithsej 494.048 vizitorë nga janari deri në fund të korrikut”.
“Nga totali i vizitorëve, 166.809 janë vendas, ndërsa 327.239 janë të huaj, duke dëshmuar interesin e lartë të turistëve ndërkombëtarë për pasuritë natyrore dhe peizazhet e zonave të mbrojtura të jugut të vendit”, tha Tahiraj.
Një prej zonave më të spikatura është Parku Kombëtar i Butrintit, në pjesën jugore të qarkut, i cili përfshin edhe ishujt e Ksamilit dhe një peizazh të jashtëzakonshëm natyror e kulturor.
“Ndërthurja e detit, ishujve, pyjeve dhe monumenteve të trashëgimisë e ka kthyer këtë zonë në një prej destinacioneve më të vizituara të jugut, duke regjistruar edhe numrin më të lartë të vizitorëve. Në janar-korrik ky park u vizitua nga 159.987 vizitorë, prej të cilëve 141.022 të huaj dhe 18.965 vendas”, tha Tahiraj.
Syri i Kaltër është tjetër destinacion që tërheq mijëra vizitorë. I rrethuar nga pyje të dendura dhe një peizazh karakteristik mesdhetar, burimi krijon një pamje të veçantë falë ujit me ngjyrë të kaltër të thellë.
“Në vendin e dytë renditet Parku Natyror i Syrit të Kaltër, i cili ka tërhequr 132.796 vizitorë, ndërsa 94.328 prej tyre janë turistë të huaj dhe 38,468 vendas”, tha Tahiraj.
Kreu i ADZM Vlorë thekson se “edhe Parku Kombëtar i Llogorasë vijon të mbetet një nga destinacionet më të kërkuara të qarkut, me 72.649 vizitorë, ndërsa Parku Natyror Pishë Poro–Nartë ka regjistruar 61.715 vizitorë”.
Interes të konsiderueshëm kanë pasur edhe Parku Natyror i Karaburunit, Parku Natyror Porto Palermo, Parku Kombëtar Karaburun–Sazan.
“Parku Natyror i Karaburunit është vizituar nga 27.345 vizitorë, Parku Natyror i Porto Palermos nga 20.040 dhe Parku Kombëtar Karaburun–Sazan nga 14.931 vizitorë. Ndërkohë, Ishujt e Ksamilit janë vizituar nga 4585 vizitorë”, tha Tahiraj.
Të dhënat tregojnë se zonat e mbrojtura të qarkut të Vlorës po luajnë një rol të rëndësishëm në ofertën turistike të vendit, duke ndërthurur peizazhet natyrore, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore me potencialin për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Zonat e mbrojtura të Vlorës kanë një rol të rëndësishëm edhe në ruajtjen e specieve të rralla dhe habitateve natyrore. Përtej vlerës së tyre ekologjike, ato krijojnë mundësi për zhvillimin e ekoturizmit, vëzhgimin e shpendëve, shëtitjet në natyrë, zhytjet dhe aktivitete të tjera që respektojnë mjedisin.
Marrë nga ATSH



















