
“Aeroporti i Vitit 2026”, TIA mes gjashtë finalistëve ndërkombëtarë
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) është përzgjedhur mes gjashtë finalistëve për “Airport Honour Awards”, duke u renditur përkrah disa prej aeroporteve të njohura ndërkombëtarisht.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) është përzgjedhur mes gjashtë finalistëve për “Airport Honour Awards”, duke u renditur përkrah disa prej aeroporteve të njohura ndërkombëtarisht.
Në garën e organizuar nga International Airport Review, Aeroporti i Tiranës konkurron përkrah aeroporteve të Nju-Jorkut, Mynihut, Vjenës, Pittsburghut dhe Buenos Airesit.
Përzgjedhja e aeroportit shqiptar në këtë fazë vjen si vlerësim për rritjen e aktivitetit, investimet, inovacionin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe përvojës së pasagjerëve.
TIA bën të ditur se, kandidatura e Tiranës në mesin e gjashtë finalistëve përbën një tjetër prezantim të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare të aviacionit dhe pasqyron zhvillimin e sektorit ajror në vend.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është një nga portat kryesore hyrëse të vendit për udhëtarët ndërkombëtarë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjet ajrore të Shqipërisë me destinacionet europiane dhe më gjerë.
Rezultati përfundimtar i “Airport Honour Awards 2026” do të përcaktojë aeroportin fitues mes gjashtë finalistëve.
“Airport Honour Awards” është një çmim ndërkombëtar në sektorin e aviacionit, i organizuar nga “International Airport Review”, që vlerëson aeroportet për zhvillimin, investimet në infrastrukturë, inovacionin, performancën dhe përmirësimin e vazhdueshëm të përvojës së pasagjerëve.
Marrë nga ATSH



















