
Vizitorët e huaj rriten 20,6% në qershor, rritja më e fortë në zonat bregdetare
Turizmi vijon të shënojë rritje në Shqipëri, me një fluks gjithnjë e më të lartë vizitorësh të huaj gjatë qershorit, duke konfirmuar interesin në rritje për destinacionet shqiptare në nisje të sezonit veror.

Turizmi vijon të shënojë rritje në Shqipëri, me një fluks gjithnjë e më të lartë vizitorësh të huaj gjatë qershorit, duke konfirmuar interesin në rritje për destinacionet shqiptare në nisje të sezonit veror.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i vizitorëve të huaj të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 20,6% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, ndërsa numri total i vizitorëve të akomoduar u rrit me 17%.
Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, net-qëndrimet u shtuan me 9,8%, teksa vizitorët rezidentë u shtuan me 7%. Në të njëjtën kohë, net-qëndrimet e vizitorëve të huaj u rritën me 9,2%, ndërsa ato të rezidentëve me 11,8%.
Zonat bregdetare regjistruan rritjen më të madhe të vizitorëve të huaj. Në qershor, në këto zona u akomoduan 323 426 vizitorë të huaj, nga 253 867 një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 27, 4%. Në zonat jo-bregdetare, numri u rrit me 5,7%, në 122,420 vizitorë.
Hotelet dhe strukturat e ngjashme pritën 401 836 vizitorë të huaj, nga 336 226 në qershor 2025. Ndërsa në strukturat e akomodimit për pushime dhe qëndrime të tjera afatshkurtra, numri i vizitorëve të huaj arriti në 39 457, nga 27 227 një vit më parë.
Edhe norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele shënoi rritje, duke arritur në 41,3%, nga 39,5% në qershor të vitit të kaluar, ose 1,8 pikë përqindjeje më shumë.
Kosova vijoi të ishte tregu kryesor i origjinës së vizitorëve të huaj të akomoduar në Shqipëri, me 15% të totalit, e ndjekur nga Italia me 14% dhe Polonia me 13%. Franca dhe Gjermania përbënin nga 7% secila, ndërsa vendet e tjera zinin 44%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje të ndjeshme të kërkesës për akomodim gjatë qershorit, veçanërisht nga turistët e huaj, duke dhënë sinjale pozitive për ecurinë e sezonit turistik veror.
Burimi ATSH



















