
Gonxhja: Saranda shembull i menaxhimit të plazheve publike gjatë sezonit turistik
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “këtë vit numri i parcelave dhe stacioneve të plazhit publik është rritur me 67%, ndërsa sipërfaqja e tyre në të gjithë vendin është zgjeruar me mbi 10%”.

Saranda është një nga shembujt pozitivë të menaxhimit të plazheve publike gjatë këtij sezoni turistik, me rritje të aksesit për qytetarët dhe tarifa të miratuara e të balancuara.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “këtë vit numri i parcelave dhe stacioneve të plazhit publik është rritur me 67%, ndërsa sipërfaqja e tyre në të gjithë vendin është zgjeruar me mbi 10%”.
“Atmosfera në Sarandë është shprehja më e mirë e rezultateve konkrete që kemi arritur këtë sezon për plazhet publike dhe garantimin e një aksesi më të gjerë e të përballueshëm për qytetarët”, theksoi Gonxhja.
Sipas tij, krahas zgjerimit të hapësirave publike, këtë sezon është aplikuar edhe një model i ri menaxhimi nga bashkitë, me tarifa të miratuara dhe të balancuara.
“Saranda është një shembull i mirë i asaj që mund të arrihet përmes bashkëpunimit dhe koordinimit institucional, me më shumë akses, më shumë siguri dhe më pak ankesa nga publiku. Ka ende punë për të bërë, por ky është një rezultat pozitiv mbi të cilin duhet të vijojmë të ndërtojmë, për të garantuar plazhe publike, të aksesueshme dhe të përballueshme për qytetarët dhe vizitorët”, tha Gonxhja.
Qyteti bregdetar i Sarandës vijon të konsolidohet si një nga shembujt e menaxhimit të plazheve publike gjatë këtij sezoni, me më shumë hapësira të aksesueshme për qytetarët, shërbime më të organizuara dhe tarifa të përcaktuara, duke synuar një përvojë më të mirë për pushuesit vendas dhe të huaj.
Burimi ATSH



















