
BBC korrigjon titullin e artikullit për shqiptarët pas reagimit të Ambasadës në Londër
Reagim zyrtar i Ambasadës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka detyruar BBC-në të ndryshojë titullin e një artikulli të publikuar më datë 24 korrik.

Reagim zyrtar i Ambasadës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka detyruar BBC-në të ndryshojë titullin e një artikulli të publikuar më datë 24 korrik.
Artikulli i BBC-së mbante fillimisht titullin “Albanians used false papers for settlement scheme” (“Shqiptarët përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”) duke ia atribuar veprimet e tre individëve një kombësie të tërë.
Pas ndërhyrjes së Ambasadës shqiptare në Londër, BBC e korrigjoi titullin e artikullit në “Trio used false papers for settlement scheme” (“Tre persona përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”), duke hequr referencën ndaj kombësisë dhe duke e fokusuar lajmin tek autorët konkretë të çështjes.
“I theksuam BBC-së se një formulim i tillë është i padrejtë, i pasaktë dhe stigmatizues. Kur një çështje penale ka të bëjë me individë të caktuar, përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive. Etiketimi i një kombi të tërë për veprimet e disa personave kontribuon në krijimin dhe përforcimin e paragjykimeve ndaj mijëra qytetarëve shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë me ndershmëri në Britani”, thuhet në reagimin zyrtar të ambasadës publikuar në rrjetet sociale.
Gjithashtu, Ambasada thekson se “do të vazhdojë të reagojë sa herë që qytetarët shqiptarë ose Shqipëria trajtohen në mënyrë të padrejtë, diskriminuese apo stereotipizuese në media. Respekti për të vërtetën dhe për dinjitetin e çdo komuniteti nuk është vetëm një standard gazetaresk, por një vlerë themelore e një shoqërie demokratike”.
Në reagimin zyrtar, Ambasada e Shqipërisë në Londër shpreh mirënjohjen “për të gjithë shqiptarët që kanë ngritur zërin kundër stereotipeve të padrejta dhe përgjithësimeve të pabazuara në media”.
“ Reagimet tuaja ndihmojnë në mbrojtjen e dinjitetit të komunitetit shqiptar dhe nxisin një debat publik më të drejtë, më të përgjegjshëm dhe të bazuar në fakte. Ju falënderojmë për angazhimin tuaj. Media ka një përgjegjësi të veçantë për të raportuar me saktësi, pa paragjykime dhe pa ushqyer stereotipe”, nënvizon në reagimin e saj, ambasada shqiptare.
Marrë nga ATSH



















