
Rama: Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën ndaj korrupsionit në nivele që as nuk imagjinoheshin
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste komentoi sot disa prej kërkesave të qytetarëve në protestë, ndërsa u shpreh se “asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit”.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste komentoi sot disa prej kërkesave të qytetarëve në protestë, ndërsa u shpreh se “asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit”.
Në mbledhjen e përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, Rama iu referua Alexis de Tocqueville, një ndër studiuesit më të mprehtë të demokracisë dhe ndryshimit shoqëror, i cili sipas tij ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë.
“Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht, kur jo ka nisur t’i ndryshojë gjërat dhe shembujt e ndryshimit që ne kemi sjellë në këtë vend janë të panumërt në çdo drejtim, ndërkohë që rreziku për të cilin ai shkruan është tanimë fare i lexueshëm”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se për mbi 100 vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar dhe aq më pak gjykuar në mënyrë të pavarur asnjë zyrtar i lartë.
“Ndërsa korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë si të ishte fataliteti i një fatkeqësie kronike natyrore. Më kujtohet se kur njerëzit e mbështesnin edhe me dorën e djathtë dhe me dorën e majtë reformën në drejtësi, duke kërkuar vetingun si besimtarët që kërkojnë shpëtimtarin prapëseprapë pyetjes nëse besonin se ata do shihnin një ditë zyrtarë të lartë përpara drejtësisë i përgjigjeshin masivisht: jo. Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën ndaj korrupsionit në nivele që deri dje, as nuk imagjinoheshin”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se edhe pse monumenti i pandëshkueshmerisë ra, ky fakt nuk mjafton fare që njerëzit t’i gëzohen kësaj arritje historike, përkundrazi, ky fakt del dhe tepron që ata të jenë të pakënaqur pse nuk bëhet më shumë.
Po ashtu, Rama kujtoi se për 30 vjet shqiptarët ndenjën në radha kilometrike për të marrë shërbimet më elementare duke pritur në shi dhe në diell një dokument të rëndomtë, apo duke ardhur nga jashtë për të kaluar gjysmën e pushimeve nëpër sportele.
“Sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri merren nga celulari, falas dhe merren dhe nga çdo pikë e botës, por ky fakt nuk mjafton fare, që njerëzit t’i tolerojnë më lehtë shërbimet që ende çalojnë. Përkundrazi, del dhe tepron që toleranca e tyre të jetë thuajse zero”, shtoi ai.
Rama përmendi edhe rastin e së ëmës së një shoku, mbi 80 vjeçe që u bë pjesë e protestës.
“Ajo doli në protestë, jo për Zvërnecin, jo për ligjin e zonave të mbrojtura, as për biodiversitetin, doli ngaqë sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë për një sëmundje kronike, ngrihej pa zbardhur dita bashkë me të moshuar të tjerë për të zënë radhën pasi mjeku në atë poliklinikë shkonte vonë dhe rrinte dy, tre orë”, shtoi Rama.
“Ne, mund t’i tregojmë tani asaj gjysheje sa spitale kemi ndërtuar, sa pajisje kemi blerë, si ka ndryshuar si nata me ditën sistemi ynë shëndetësor krahasimisht me kohët kur morëm detyrën. Të gjitha këto dhe gjithçka mund t’i numërojmë asaj për punët e panumërta që ne kemi bërë për shëndetësinë, janë fakte si drita e diellit, por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma. Dhe kur faktet tona përplasen me përvojën e gjyshes ne nuk mund t’i kërkojmë asaj të ndryshojë përvojën. Duhet të ndryshojmë ne”, tha Rama.
Ne, vijoi ai, “nuk do të jemi më këtu, nëse vazhdojmë të besojmë se mjaftojnë investimet dhe faktet e përparimit që njerëzit të vazhdojnë ta investojnë besimin e tyre tek ne.
“Pa ndryshuar diçka domethënëse në cilësisë e përvojës së tyre me shtetin. Përsëri, këtu na vjen në ndihmë Tocqueville, abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e abuzimeve që mbeten. Kur fryma e përparimit bëhet e qëndrueshme dhe zhvillimi i pandalshëm, pritshmëritë e qytetarëve nuk ulen po rriten dhe rriten më shpejt se shpejtësia e ndryshimit. Asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit”, tha Rama.
Marrë nga ATSH


















