
Rama: Thethi, potencial për turizmin e luksit, zhvillimi i pakontrolluar e dëmton
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zhvillimi i pakontrolluar e dëmton turizmin në Theth.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zhvillimi i pakontrolluar e dëmton turizmin në Theth.
Në një bashkëbisedim me banorët e Thethit mbi Paketën e Maleve, Rama u shpreh se nëse në Theth nuk do të ishte ndërhyrë me shpejtësi për prishjen e sturkturave pa leje, numri i tursitëve do të binte me shpejtësi.
“Nëse ne nuk do kishim ndërhyrë dhe nëse nuk do kishim shëruar me shpejtësi atë plagën mu në zemër të Thethit që i mori fytyrën Thethit, do të binte numri i atyre që do interesoheshin për Thethin. Turistët vijnë te fusha dhe rrinë aty me orë sepse është magjike. Pra duhet që ju të jeni veç në sipërmarrje dhe të jeni bashkë në produkt. Produkti juaj është Thethi”, tha Rama.
Rama solli në vëmendje reagimin e banorëve të Korsikës për të mos lejuar ndërtime.
“Korsikanët e dinë shumë mirë. Ata shesin Korsikën, nuk shesin thjesht hotelin e vet. Po të jetë Korsika rrëmujë, nuk vjen njeri te hoteli”, tha Rama.
Ndërkohë duke iu drejtuar banorëve të Thethit, Rama tha se ata kanë mundësinë që të zhvillojnë turizmin e luksit.
“Zvicrën e vogël ju e keni këtu vetëm në duart tuaja. Mundësinë që këtu të shkohet në një turizëm luksi”, tha Rama.
Burimi ATSH



















