
Rama: Të ardhurat nga rritja ekonomike për kategoritë më në nevojë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rritja e qëndrueshme ekonomike e viteve të fundit krijon mundësi financiare për adresimin e problematikave të grupeve më në nevojë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rritja e qëndrueshme ekonomike e viteve të fundit krijon mundësi financiare për adresimin e problematikave të grupeve më në nevojë.
Rama ishte sot në Qendrën Sociale “Jonathan”, ku bashkëbisedoi me nëna dhe stafin mbështetës të fëmijëve dhe të rinjve me Aftësi të Kufizuar, – mbi dyfishimin e mbështetjes ekonomike për këtë kategori, si dhe për garancitë e reja shëndetësore e shoqërore për kujdestarët e tyre.
Kryeministri siguroi se qeveria ka gjithmonë shumë në vëmendje faktin që çfarë sjell zhvillimi ekonomik ta bëjë të prekshëm për kategoritë më në nevojë.
“Por që të bëjmë më shumë, duhet të rrisim më shumë mundësitë. Që të rrisim më shumë mundësitë, duhet të rrisim ekonominë. Që të rrisim ekonominë, duhet të rrisim investimet. Që të rrisim investimet, duhet të krijojmë besueshmëri më të madhe. Që të krijojmë besueshmëri më të madhe, duhet të kemi një kuptim më të drejtë të gjithë së bashku të gjërave dhe kështu me radhë”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se qeveria nuk angazhohet me sezone apo me fushata por është e angazhuar në mënyrë konstante.
“Ndarja që unë gjithmonë përpiqem të bëj me qeverinë është ata që janë në pamundësi fizike ose mendore, janë ata që janë më në nevojë. Nuk është më në nevojë dikush që nuk do të punojë dhe do ndihmën ekonomike. Nuk është më në nevojë dikush që ti i thua, “ja ku e ke punën, shko puno” që e refuzon sepse do atë ndihmën ekonomike, bën dhe ndonjë gjë tjetër në të zezë etj. Është më në nevojë ai që s’ka mundësi fizike”, tha Kryeministri.
Duke folur për vendimin për dyfishimin e ndihmës ekonomike për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuar, Rama tha se “ne nuk kemi fushatë, por ishte një zotim që e morëm dhe e bëmë”.
“Ne nuk e kishim detyrim që të jepnim bonusin për pensionistët përsëri, ato 50 eurot për secilin, që ata që rrinë dhe s’zdërhallen mbrëmjeve nëpër ato ekrane apo ata që rrinë edhe jetojnë me kërcënimet e të tjerëve dhe vënë gjoba për portalet e tyre, e përqeshin. Kurse e dinë pensionistët vlerën e atyre 50 eurove që i marrin ekstra sepse aq janë mundësitë, por nuk ishte detyrim dhe nuk ishte një shumë një shumë e parëndësishme për ne, për buxhetin e shtetit, por ama ishte një e ardhur nga ekonomia që u rrit përtej parashikimit”, shtoi ai.
Rama kujtoi edhe situatën e krijuar me rritjen e çmimit të naftës, ndërsa u shpreh se “çfarë kemi marrë nga rritja e çmimit të naftës ja kemi dhënë pensionistëve te ai bonus”.
“Pra ata që kanë paguar një naftë më të shtrenjtë si rezultat i krizës në rripin e Hormuzit, e kanë paguar për pensionistët, drejtpërdrejtë. Kështu që, nëse do ketë prapë rritje duhet ta dinë që në çdo litër naftë ata po bëjnë edhe një kontribut personal që kjo t’ua u lehtësojë pak shpirtin, sepse ata janë ndotës. Ata ndotin, nuk ndotin pensionistët apo jo? Kështu që ata kanë më shumë, nuk kanë pensionistët më shumë. Kështu që në këtë mënyrë përpiqemi të bëjmë më të mirën. Pastaj sigurisht e mira s’ka fund. Plot gjëra mund të bëhen më mirë”, shtoi kryeministri.
Marrë nga ATSH



















