
Hita: “Smart City” po jep rezultatet e para konkrete
Ka nisur zbatimi i projektit Smart City, një nga investimet më të rëndësishme në fushën e sigurisë publike, i cili përmes Inteligjencës Artificiale dhe një sistemi të integruar monitorimi synon të transformojë mënyrën e parandalimit dhe menaxhimit të rreziqeve në Shqipëri.

Ka nisur zbatimi i projektit Smart City, një nga investimet më të rëndësishme në fushën e sigurisë publike, i cili përmes Inteligjencës Artificiale dhe një sistemi të integruar monitorimi synon të transformojë mënyrën e parandalimit dhe menaxhimit të rreziqeve në Shqipëri.
Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se projekti “Smart City” ka hyrë në fazën e zbatimit operacional dhe ka nisur të japë rezultatet e para konkrete në rritjen e sigurisë publike në vend.
Sipas Hitës, gjatë muajve të fundit është punuar intensivisht që projekti të mos mbetej vetëm një ide ambicioze, por të shndërrohej në një kapacitet real në shërbim të qytetarëve. Ai theksoi se “Smart City” përfaqëson një transformim të mënyrës se si Policia e Shtetit garanton sigurinë, përmes përdorimit të teknologjisë dhe sistemeve inteligjente.
Hita nënvizoi se projekti prek disa nga dimensionet kryesore të sigurisë, duke përfshirë forcimin e sigurisë publike, mbrojtjen e shkollave, rritjen e sigurisë rrugore përmes monitorimit në kohë reale të shkeljeve, si dhe fuqizimin e luftës kundër kriminalitetit nëpërmjet analizës së të dhënave dhe teknologjisë moderne.
“Smart City” është pikërisht një projekt i tillë, sepse prek çdo dimension të sigurisë sonë, prek: sigurinë publike, duke rritur ndjeshëm aftësinë e Policisë së Shtetit për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme dhe për të reaguar në kohë rekord ndaj çdo situate; sigurinë në shkolla, duke krijuar një mjedis plotësisht të mbrojtur për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Mbrojtja e fëmijëve tanë është një përgjegjësi absolute që nuk pranon asnjë kompromis; sigurinë rrugore, përmes monitorimit në kohë reale të sjelljes së drejtuesve të mjeteve, evidentimit të shkeljeve dhe ndërhyrjes proaktive për të ulur rrezikun e aksidenteve dhe për të mbrojtur jetën; luftën kundër kriminalitetit, duke fuqizuar kapacitetet tona hetimore përmes teknologjisë moderne, analizës së të dhënave dhe përdorimit të informacionit inteligjent; forcimin e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe monitorimin e kufirit të gjelbër, duke rritur efektivitetin tonë kundër krimit ndërkufitar, migracionit të paligjshëm dhe çdo veprimtarie që cenon sigurinë kombëtare”, tha ai.
Hita theksoi se këto nuk janë elementë të veçuar, por pjesë e një sistemi të integruar sigurie, i cili i mundëson Policisë së Shtetit një qasje më moderne, inteligjente dhe proaktive në përmbushjen e misionit të saj.
Ai u shpreh se rezultatet e deritanishme justifikojnë investimin dhe besimin e dhënë për projektin, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe partnerëve institucionalë.
“Ndaj sot, e themi me krenari se ky projekt ka nisur të japë rezultatet e para konkrete, duke justifikuar plotësisht besimin dhe investimin e bërë. Jam plotësisht i bindur se, me mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të partnerëve tanë projekti “Smart City” do të shndërrohet në një model suksesi që do t’i shërbejë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj për shumë vite me radhë”, tha ai.
Sipas tij, Policia e Shtetit do të vijojë ta zhvillojë këtë projekt me përkushtim të plotë, duke integruar teknologjinë më të fundit me profesionalizmin e punonjësve tanë dhe duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet përgjegjëse.
Burimi ATSH



















