
Metani: ILD ka përmbushur të tetë rekomandimet e Kuvendit për vitin 2025
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani, deklaroi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale se ILD ka përmbushur plotësisht të tetë rekomandimet e adresuara nga Kuvendi për vitin 2025.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani, deklaroi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale se ILD ka përmbushur plotësisht të tetë rekomandimet e adresuara nga Kuvendi për vitin 2025.
Gjatë raportimit, Metani paraqiti në mënyrë të detajuar masat e ndërmarra për secilin rekomandim.
Për rekomandimin e parë, ai tha se ILD ka miratuar një urdhër që përcakton rregulla dhe procedura për raportimin periodik të zbatimit të rekomandimeve të inspektimeve, me tregues sasiorë dhe cilësorë për matjen e efektivitetit.
Sipas tij, është përmbushur edhe rekomandimi për përfshirjen e inspektimeve vijuese në planifikimin vjetor dhe parashikimin e burimeve për realizimin e tyre.
Në lidhje me rekomandimin për hartimin e një protokolli bashkëpunimi me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Prokurorinë e Përgjithshme për akses në sistemet elektronike, Metani tha se ILD ka bashkëpunuar vazhdimisht me institucionet përkatëse dhe ka marrë pjesë në grupet teknike të projektit EU4Digital Justice.
“Aktualisht zhvillimi i sistemit elektronik apo sistemeve elektronike është ende në proces dhe arkitektura teknike përfundimtare nuk është e konsoliduar. Në këtë kuadër hartimi i një protokolli formal, nuk do kishte asnjë efekt të shtuar për sa kohë që është garantuar angazhimi i ILD, për paraqitjen e nevojave dhe njëkohësisht edhe aksesi i ILD në sistemet ekzistuese të gjykatave, ARKID dhe ICMIS ku të gjithë inspektorët dhe ndimësinspektorët kanë akses të plotë në përputhje me parashikimet ligjore duke siguruar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës dhe sigurisë së informacionit”, tha ai.
Sa i përket bashkëpunimit me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Metani bëri të ditur se ILD i është drejtuar këtij institucioni me kërkesë për propozime mbi temat e inspektimeve për vitin 2026, por nuk ka marrë përgjigje. Ai theksoi se, pavarësisht kësaj, ankesat e paraqitura nga avokatët janë reflektuar në veprimtarinë inspektuese dhe se rastet e adresuara nga Dhomat e Avokatisë në Shkodër dhe Sarandë janë trajtuar me masa konkrete, përfshirë procedime disiplinore dhe inspektime tematike.
“Në rastin e kërkesave konkrete të Dhomës së Avokatisë Shkodër magjistrati për të cilën më parë kishte ankesë u procedua disiplinarisht, ndërsa në rastin e Sarandës kërkesat e paraqitura nga Dhoma e Avokatisë Sarandë ju nënshtruan inspektimit tematik i cili po vijon. Kështuqë në këtë pikë mendoj që raporti i ILD me dhomën kombëtare të Avokatisë ka qenë mëse korrekt, institucional dhe në respekt të dinjitetit Kushtetues që ka institucioni”, tha ai.
Metani tha gjithashtu se është përmbushur rekomandimi për krijimin e sistemit të menaxhimit elektronik të çështjeve të ILD-së, me synim dixhitalizimin e proceseve dhe rritjen e eficiencës.
Për analizën periodike të ankesave të qytetarëve, ai sqaroi se Plani i Inspektimeve Tematike për vitin 2025 është bazuar mbi problematikat e evidentuara nga ankesat, kryesisht ato që lidhen me zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe vonesat në zbardhjen e vendimeve. Gjithashtu është miratuar një urdhër që përcakton mënyrën dhe periodicitetin e hartimit të raporteve analitike.
Në fushën e komunikimit institucional, Metani tha se ILD ka miratuar Programin e Edukimit Ligjor, Informimit dhe Sensibilizimit të Qytetarëve për periudhën 2026–2027 dhe ka zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese me nxënës, studentë dhe publikun. Ai vlerësoi gjithashtu faqen zyrtare të ILD-së si një nga platformat më transparente për informimin e publikut.
“Në kuadër të këtij rekomandimi është hartuar programi i edukimit ligjor, informimit dhe sensibilizimit të qytetarëve për vitin 2026–2027, i cili përmbledh detyrimet e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, i miratuar në janar 2026, duke u shtrirë në një periudhë 3-vjeçare”, tha ai.
Sipas Metanit, edhe rekomandimi i tetë, që lidhet me përgatitjen e analizës së ndikimit të veprimtarisë inspektuese deri në dhjetor 2025, është realizuar.
Në fund të raportimit, Metani u ndal edhe te rekomandimet e propozuara për vitin 2026, duke thënë se ato do të shqyrtohen në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve dhe se ILD do t’i kthejë përgjigje Kuvendit me shkrim.
Ai komentoi veçanërisht rekomandimin për hartimin e një kalendari për plotësimin e vendeve vakante të inspektorëve, duke theksuar se ILD ka marrë të gjitha masat për zhvillimin në kohë të procedurave të konkurrimit, por problem mbetet mungesa e aplikimeve nga gjyqtarët dhe prokurorët.
Marrë nga ATSH



















