
Qendra Muzeore e Krujës 86 mijë vizitorë në gjashtë muaj
Qendra Muzeore Krujë vijon të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara të turizmit kulturor në vend, duke mirëpritur çdo ditë një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Qendra Muzeore Krujë vijon të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara të turizmit kulturor në vend, duke mirëpritur çdo ditë një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.
Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “interesi i turistëve është rritur ndjeshëm në 6 muajt e parë të vitit, duke arritur në 86 mijë, ku vetëm Muzeu Etnografik është vizituar nga 13 mijë vizitorë”.
“Këtë sezon po përjetojmë një fluks të kënaqshëm vizitorësh. Turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe tregojnë interes të veçantë për historinë e Skënderbeut, rezistencën shqiptare dhe trashëgiminë tonë kulturore. Shumë prej tyre largohen me përshtypje shumë pozitive dhe e konsiderojnë vizitën në Krujë një nga përvojat më të veçanta gjatë qëndrimit në Shqipëri”, tha Hafizi.
Sipas tij, turistët janë kryesisht francezë, spanjollë, italianë izraelite polakë austriakë, gjermanë, italianë, amerikanë etj.
Hafizi thekson se muzeu po punon vazhdimisht për të përmirësuar përvojën e vizitorëve përmes shërbimeve informuese dhe ruajtjes së standardeve të ekspozimit të objekteve historike.
“Synimi ynë është që çdo vizitor të largohet jo vetëm me njohuri më të plota për historinë e vendit, por edhe me dëshirën për t’u rikthyer sërish në Krujë dhe për ta promovuar këtë destinacion tek të tjerët”, tha drejtori i muzeut.
Qendra Muzeore e Krujës mbetet një nga komplekset më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
E vendosur brenda kalasë historike të Krujës, qendra përfshin disa objekte me vlera të veçanta historike dhe etnografike, mes të cilave Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Historik dhe Etnografik, që pasqyrojnë historinë, jetën dhe traditat shqiptare ndër shekuj.
Vizitorët që zgjedhin Krujën kanë mundësi të njihen nga afër me periudhën e rezistencës së Skënderbeut, si dhe me mënyrën e jetesës tradicionale shqiptare, përmes ekspozitave dhe objekteve të ruajtura me kujdes.
Pjesë e pandarë e vizitës mbetet edhe Pazari i Vjetër i Krujës, ku artizanët lokalë ofrojnë produkte tradicionale dhe suvenire, duke i dhënë zonës një karakter të veçantë turistik dhe kulturor.
Qendra Muzeore e Krujës është një nga pikat më të vizituara në Shqipëri, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e historisë dhe identitetit kombëtar.
Burimi ATSH



















