
Ibrahimaj: Zhvillimi i Zvërnecit do të ecë vetëm sipas standardeve mjedisore të BE-së
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se qeveria shqiptare mbështet vijimin e projektit turistik në zonën e Zvërnecit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se qeveria shqiptare mbështet vijimin e projektit turistik në zonën e Zvërnecit, por theksoi se aktualisht nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se çdo propozim do t’i nënshtrohet vlerësimit të plotë mjedisor dhe ligjor.
Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj u shpreh se qeveria ndodhet ende në fazën e studimeve dhe projektimit për zhvillimin e zonës.
“Nuk kemi ende një projekt për zhvillimin e zonës dhe për ndërtimin në zonën e Zvërnecit. Janë duke punuar arkitektë të njohur, studiues, inxhinierë të ndikimit në mjedis dhe arkitektë peizazhi. Jemi ende në fazën e një studimi dhe projektimi. Qeveria shqiptare nuk ka një projekt final që mund ta ndajë me publikun”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, çdo projekt që do të paraqitet për miratim do të duhet të përmbushë të gjitha standardet mjedisore dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit evropian.
“Jam e sigurt që në momentin që do të na vijë një propozim, ai do të jetë një propozim që do t’i plotësojë të gjitha kushtet mjedisore. Shqetësimi ynë kryesor është që të gjitha standardet e mjedisit të respektohen. Projekti do të vazhdojë vetëm brenda të gjitha kushteve dhe standardeve që Bashkimi Europian ka”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria ndodhet në proces negociatash me Bashkimin Europian dhe se legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit po rishikohet në përputhje me detyrimet e integrimit.
“Kemi një proces të nisur negociatash me Bashkimin Europian dhe një kalendar të mirëpërcaktuar detyrash, ku bën pjesë edhe legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit. Në momentin që do të na vijë një projekt me studim të impaktit në mjedis, ai do të analizohet nga strukturat e qeverisë dhe do të bëhet transparent”, deklaroi ajo.
Duke folur për përfitimet ekonomike të projektit, ministrja tha se qeveria e konsideron të rëndësishëm një investim të kësaj përmase jo vetëm për ndikimin ekonomik, por edhe për standardet që mund të sjellë në sektorin e turizmit.
“Ne duam që një projekt i kësaj përmase financiare të vijë në Shqipëri jo vetëm për paratë që sjell në ekonomi, por edhe për imazhin, standardet që sjell në turizëm dhe për impaktin që mund të ketë në sektorin e turizmit dhe në hotelet e tjera”, tha Ibrahimaj.
E pyetur për vlerën e investimit prej 4 miliardë eurosh të përmendur më herët, ministrja sqaroi se kjo shifër i përkiste një projekti të mëparshëm, i cili nuk është miratuar.
“4 miliardë euro ka qenë një projekt që është dorëzuar më parë dhe nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe i Ujit, pasi nuk i plotësonte standardet që kishim për intensitetin e ndërtimit dhe ndikimin në mjedis”, tha ajo.
Sipas Ibrahimajt, ende nuk dihet vlera e projektit që mund të paraqitet në të ardhmen.
“Nuk e dimë sa do të jetë vlera e projektit që do të vijë për miratim. Mund të jetë pesë miliardë, mund të jetë gjashtë miliardë, mund të jetë edhe dy ose tre miliardë euro. Nuk mund të flasim sot pasi nuk kemi një projekt”, u shpreh ministrja.
Duke iu referuar shqetësimeve për ndikimin në mjedis, Ibrahimaj theksoi se ruajtja e natyrës është interes si i qeverisë, ashtu edhe i investitorëve potencialë.
“Arsyeja pse investitorët vijnë në Zvërnec është natyra. Është në interesin tonë që ne ta mbrojmë natyrën, por është edhe në interesin e tyre për nivelin e turizmit që duan të sjellin në Shqipëri. Natyra duhet të ruhet dhe të mbrohet, sepse është një vlerë e shtuar për projektin”, deklaroi Ibrahimaj.
Burimi ATSH


















