Peleshi në Holandë: Rikonfirmohet mbështetja për përshpejtimin e procesit të negociatave

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës, ku u prit në takime nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Thom van Campen, kryetarja e Senatit, Mei Li Vos, si dhe përfaqësues të Komisionit për Çështjet Europiane.


Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës, ku u prit në takime nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Thom van Campen, kryetarja e Senatit, Mei Li Vos, si dhe përfaqësues të Komisionit për Çështjet Europiane.

Vizita në Holandë vjen në një moment kyç për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe në vijim të turit të diplomacisë parlamentare në vendet partnere të BE-së.

Gjatë takimeve u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Holandës, të ndërtuara mbi lidhjet historike, respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin e ngushtë dhe vlerat e përbashkëta europiane.

Po ashtu u theksua rëndësia e kontakteve të rregullta ndërmjet dy parlamenteve dhe rolin e diplomacisë parlamentare në forcimin e partneritetit dypalësh.

Në qendër të diskutimeve ishte avancimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës ndaj reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe ndaj avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, sidomos vlerësimet për raportin IBAR.

Peleshi nënvizoi se megjithëse Holanda mban një qasje parimore, rigoroze dhe konsistente ndaj zgjerimit, ajo ka mbetur një mbështetëse e rëndësishme e perspektivës europiane të Shqipërisë, duke kontribuar ndër vite në forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjes së mirë, luftës kundër korrupsionit dhe emigrimit të parregullt.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar ndaj procesit të negociatave dhe objektivit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ai theksoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, i drejtë dhe i parashikueshëm, ndërsa mirëpriti nismat europiane që synojnë përshpejtimin e integrimit gradual të vendeve kandidate në politikat dhe programet e BE-së.

Në këtë kontekst u diskutuan edhe propozimet e fundit për integrimin gradual, të cilat Shqipëria i konsideron si një urë drejt anëtarësimit të plotë dhe jo si një alternativë ndaj tij.

Gjatë takimeve u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i suksesshëm mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe migracionit të parregullt. Palët nënvizuan se bashkëpunimi i ngushtë institucional, shkëmbimi i informacionit dhe puna e përbashkët e strukturave përkatëse kanë prodhuar rezultate konkrete.

Në fokus të bisedimeve ishte gjithashtu edhe bashkëpunimi parlamentar, i cili është intensifikuar gjatë viteve të fundit. Kryetari i Kuvendit mirëpriti vizitën e planifikuar të Komisionit për Çështjet Europiane të Parlamentit Holandez në Shqipëri dhe Mal të Zi në muajin korrik 2026, duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme për njohjen nga afër të progresit të vendeve kandidate në procesin e integrimit europian.

Peleshi ftoi gjithashtu përfaqësuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të Holandës të marrin pjesë në Konferencën “Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe Anëtarësimi i Shqipërisë”, e cila do të organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë më 28-29 shtator 2026, në Tiranë, me pjesëmarrjen e parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Holandë nga delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga deputetët: Damian Gjiknuri, Erjo Mile, Belind Këlliçi dhe Oerd Bylykbashi, si edhe nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës, Artur Kuko.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama merr pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një nga platformat më të…

Global 360

SHBA-ja dhe Irani shpallin marrëveshje kornizë për paqen, pritet rihapja e Ngushticës së Hormuzit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë njoftuar arritjen e një marrëveshjeje kornizë për paqen, e cila pritet të…

Diplovista

Rama për “Associated Press”: Ende s’ka projekt për Zvërnecin, ka shumë ‘gjysmë të vërteta’ që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Associated Press (AP), theksoi se do të ecë përpara me projektin luksoz, i…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Vizita që ndryshoi të ardhmen strategjike të Shqipërisë

Kujtime nga vizita historike e Presidentit George W. Bush në Tiranë

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama merr pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një nga platformat më të…