
Rama: Ngjarjet e Javës Kulturore të Evropës sjellin kulturën dhe artin e vendeve të tjera
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, në kuadër të Ditës Botërore të Evropës, se ngjarjet artistike që organizohen me këtë rast nuk bëhen për të promovuar artistët shqiptarë, por për të sjellë në Shqipëri kulturën dhe artin e vendeve të tjera, duke e cilësuar këtë si një mundësi zhvillimi për publikun dhe artistët vendas.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, në kuadër të Ditës Botërore të Evropës, se ngjarjet artistike që organizohen me këtë rast nuk bëhen për të promovuar artistët shqiptarë, por për të sjellë në Shqipëri kulturën dhe artin e vendeve të tjera, duke e cilësuar këtë si një mundësi zhvillimi për publikun dhe artistët vendas.
Gjatë prezantimit të programit të Javës së Kulturës Europiane, Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi raportin mes artistëve të huaj dhe mbështetjes për artistët shqiptarë.
Rama tha se gjatë katër viteve të fundit në Shqipëri kanë mbërritur shumë artistë ndërkombëtarë, ndërsa më të pakta kanë qenë rastet kur shtetet e tjera kanë promovuar artistë shqiptarë.
“Kjo është një temë interesante. Javët kulturore të vendeve të tjera nuk janë për të promovuar artistët shqiptarë, janë për të promovuar kulturën e vendeve të tjera dhe qëllimi është që sa më shumë artistë dhe sa më shumë protagonistë të kulturës së vendeve të tjera të jenë të pranishëm në Shqipëri”, tha Rama.
Sipas tij, kultura dhe arti nuk kanë kufij dhe i shërbejnë çdo publiku, veçanërisht publikut shqiptar që për dekada ka qenë i izoluar nga arti ndërkombëtar.
Rama theksoi se nga ana tjetër mbështetja e Qeverisë për artistët shqiptarë ka ardhur në rritje, ndërsa sipas tij numri i aktiviteteve dhe projekteve kulturore është rritur ndjeshëm.
“Për sa i përket artistëve shqiptarë, po të shihni pjesën që ka të bëjë me mbështetjen që japim ne si qeveri për artistët shqiptarë, ajo vjen në rritje dhe numri i aktiviteteve, numri i projekteve është shumë i madh”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se edhe Bashkimi Europian, përmes Komisionit Europian, po promovon artistët shqiptarë në aktivitetet e Ditëve të Europës.
Në vijim, Rama e lidhi këtë debat me fushën e arkitekturës, duke treguar një bisedë me një arkitekt të njohur ndërkombëtar me origjinë kineze, i cili kishte përshkruar të njëjtin debat që kishte ndodhur në Kinë kur vendi u hap ndaj arkitektëve të huaj.
“Në fillim kur Kina u hap ndaj arkitektëve ndërkombëtarë pati një debat shumë të madh: po arkitektët lokalë ç’do bëjnë tani?”, tha Rama.
Duke bërë krahasimin me Shqipërinë, Rama deklaroi se bashkëpunimi me arkitektët e huaj ka krijuar në vend “shkollën më të madhe të arkitekturës në qiell të hapur në Europë”.
“Nuk ka asnjë vend tjetër europian ku të mund t’i gjesh arkitektët që punojnë në Shqipëri në të njëjtin vend duke punuar në të njëjtën kohë dhe të gjithë ata arkitektë punojnë me studio lokale”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, studiove shqiptare u jepet mundësia të përfitojnë eksperiencë të drejtpërdrejtë nga emrat më të njohur të arkitekturës botërore.
“Të gjitha ato studio lokale që punojnë me ata arkitektë praktikisht marrin një dije dhe një eksperiencë të paçmuar që s’do e merrnin kurrë duke paguar për të shkuar në leksionet e tyre nëpër universitete të famshme të botës”, deklaroi Rama.
“Nuk do të jetë e largët dita kur arkitektë shqiptarë do të hyjnë në konstelacionin e yjeve të arkitekturës botërore dhe vetëm falë këtij ndërveprimi dhe këtij miksimi”, tha Rama.
Në përfundim, Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet ta shohë sjelljen e kulturave dhe eksperiencave ndërkombëtare si një mundësi për zhvillim.
“Ne duhet ta shohim mundësinë për të sjellë kultura të vendeve të tjera dhe eksperienca të vendeve të tjera si një mundësi të artë për t’u zhvilluar ne vetë, sepse jetojmë në një botë pa kufij, nuk jetojmë më në bunkerin e shokut Enver”, përfundoi Rama.
Burimi ATSH



















