
Rama: Elbasani të kthehet në qytetin e startup-eve dhe inovacionit
Në Elbasan u zhvillua sot takimi me fituesit e programit kombëtar të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantët e rinj për vitin 2026, ku u prezantuan projekte inovative dhe ide premtuese në fushën e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale.

Në Elbasan u zhvillua sot takimi me fituesit e programit kombëtar të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantët e rinj për vitin 2026, ku u prezantuan projekte inovative dhe ide premtuese në fushën e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale.
Aktiviteti vuri në fokus rritjen e shpejtë të ekosistemit të teknologjisë në Shqipëri, në një kohë kur numri i kompanive të regjistruara në këtë sektor ka arritur në 3300, ndërsa mbi 21 mijë specialistë janë të punësuar në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë dhe ndikimin e saj në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë shqiptarë. Në vendin tonë është shënuar edhe një rritje me 15% e numrit të studentëve të regjistruar në degët e lidhura me teknologjinë digjitale, duke reflektuar interesin në rritje të të rinjve për këtë sektor me potencial të lartë zhvillimi.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri nënvizoi rolin e teknologjisë në transformimin e tregut të punës dhe krijimin e mundësive për të rinjtë që të punojnë nga Shqipëria për tregun global, duke e cilësuar këtë periudhë si një moment të favorshëm për vendin në kushtet e zhvillimit të shpejtë digjital.
Rama tha se në Elbasan janë 27 shkolla me laboratorë inteligjentë, për t’u dhënë mundësi fëmijëve të hyjnë në botën e teknologjisë dhe kodimit që në hapat e parë të shkollimit.
Ai theksoi se përmes teknologjisë të gjithë mund të ëndërrojnë dhe të ndryshojnë të ardhmen e tyre dhe të komunitetit ku jetojnë, ndërsa shtoi se gjatë rrugëtimit mund të ketë edhe humbje, por ato duhet të shërbejnë si mësim për të fituar në sfidat e radhës.
“Ndodh shpesh që ne, dhe sidomos burrat e djemtë shqiptarë, të jemi humbës të këqij. Humbësi i keq është ai që nuk arrin të pranojë se ka merituar të humbë një garë apo sfidë dhe kërkon justifikime të pafundme. Ndërsa humbësit e mirë janë ata që reflektojnë, motivojnë njëri-tjetrin dhe përgatiten për të fituar në ndeshjen e ardhshme”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për konkurrencën në botën e teknologjisë, duke theksuar se suksesi kërkon këmbëngulje, sakrifica dhe guxim për të ndjekur ëndrrat.
“Dhe për më tepër në këtë rrugë, parafytyroheni se sa shumë konkurrencë do të ketë vit pas viti dhe sa shumë konkurrencë ka në këtë botë, për të kuptuar se që të jesh tek pjesa fituese nuk është rregulli, por është përjashtimi. Dhe për të kuptuar se pastaj që të ëndërrosh, që të krijosh një unicorn duhet të jesh përjashtim i përjashtimeve, por ama kjo botë është pikërisht e ëndërrimtarëve që guxojnë dhe patjetër që nëse dikush ka një ëndërr që e shikon me sy hapur, e shikon sepse mund ta realizojë. Unë nuk kam parë ndonjëherë me sy hapur ëndrrën që të bëhem këngëtar, sepse nuk më ka ardhur ajo ëndërr ngaqë s’ka pasur kushte organizmi dhe mendja që ta prodhojë këtë ide, por kur ti me sy hapur shikon që mund të dalësh në një majë, është vetëm çështje vullneti dhe force për të dalë, se të gjithë shohin ëndrra, por jo të gjithë i realizojnë, sepse jo të gjithë janë të gatshëm që të bëjnë të gjitha sakrificat që ëndrra kërkon për të arritur që të të lejojë ta prekësh dhe në botën e teknologjisë të gjithë janë në të drejtën e tyre që të shohin ëndrra të mëdha. Të gjithë janë në të drejtën e tyre që të ëndërrojnë që të jenë Steve Jobs i radhës duke filluar nga Steve Jobs i shkollës, Steve Jobs i Elbasanit, Steve Jobs i Shqipërisë e pastaj me radhë e me radhë. Normale fare! Por ama, që mundësia për t’ia dalë sot falë teknologjisë është po aq e jashtëzakonshme, sa dhe vetë shpejtësia e teknologjisë, është diçka që duhet të mos e harroni për asnjë çast dhe duhet ta mbani parasysh sa herë që mendoni se çfarë do bëj nesër. Dhe natyrisht këtu flas për ata që kanë një talent në këtë në këtë drejtim dhe ju që jeni këtu, besoj që jeni këtu pikërisht sepse në një mënyrë ose në ndonjë tjetër e dëshironi këtë fushë, besoni tek kjo fushë”, tha Rama.
Në përfundim, ai i uroi sukses fituesve të programit dhe i inkurajoi të rinjtë që nuk janë shpallur fitues të vijojnë përpjekjet me durim dhe këmbëngulje.
“Kështu që duke iu uruar shumë sukses atyre që kanë fituar, duke iu uruar durim edhe kurajë edhe kokëfortësi atyre që nuk kanë fituar, duke iu kujtuar të gjitha vajzave që janë këtu të pranishme se numri i vajzave fituese në këto thirrje është rritur dhe vazhdon të rritet, ju uroj çdo të mirë, çdo sukses dhe uroj që ta ktheni Elbasanin në një vend që të tregohet nga larg si vendi i shumë startup-eve dhe i shumë vajzave dhe djemve që krijojnë mirëqenie për vete dhe për qytetin, duke qëndruar besnikërisht këtu dhe duke dalë jashtë pastaj për qejf apo për ndonjë qokë romantike”, përfundoi Rama.
/Marrë nga ATSH



















