
Rama: Të mos lejojmë që procesi i anëtarësimit në BE të merret peng nga askush
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Asamblenë e Partisë Socialiste në Gjirokastër, ku u ndal kryesisht te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Asamblenë e Partisë Socialiste në Gjirokastër, ku u ndal kryesisht te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij Kryeministri Rama tha se rruga e anëtarësimit në Bashkimin Europian, që kalon përmes mbylljes së negociatave dhe patjetër që mbyllja e negociatave është një proces sfidues, sprovues dhe shumë i vështirë.
“Por, do të thoni ju: pse, ku hyjmë ne në këtë proces? Sepse ky proces kryhet nga një skuadër që është e mandatuar për të negociuar në emër të Republikës së Shqipërisë, një skuadër e përbërë nga përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe nga përfaqësues të institucioneve të tjera, ndërkohë që, anëtarësia e partisë është në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk është në tryezën e negociatave”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “në fakt, negociatat, energjinë dhe forcën e Shqipërisë që përfaqësohet në atë tryezë e marrin nga jeta dhe realiteti i punëve të përditshme të vendit tonë, në të gjitha drejtimet dhe nga të gjithë, jo vetëm nga qeveria, por nga të gjithë. Dhe natyrisht që boshti i gjithë këtij procesi është Partia Socialiste e Shqipërisë, sepse me Partinë Socialiste të Shqipërisë lidhet, qoftë pushteti legjislativ dhe ecuria e tij, qoftë pushteti ekzekutiv dhe ecuria e tij, dhe me ecurinë e këtyre dy pushteteve lidhet një pjesë e mirë e suksesit të negociatave”.
“Kur themi një pjesë e mirë, them një pjesë e mirë sepse një pjesë tjetër ka të bëjë me pushtetet e tjera, me institucionet e tjera që janë të pavarura e kështu me radhë, dhe detyrat, hap pas hapi, janë të shkruara, janë të listuara, janë të kalendarizuara në kohë: “deri në këtë muaj duhet të bëni këtë, këtë, këtë”, “deri në atë muaj duhet të bëni këtë, këtë, këtë”, për të arritur objektivin e përbashkët që i kemi vënë vetes, me natyrisht iniciativën e tyre, sepse ne nuk marrim dot një iniciativë të tillë se kur ata janë të disponueshëm që t’i mbyllin negociatat, që është fundi i vitit 2027, me një hapësirë në vitin 2028, në mënyrë që pastaj nga fillimi apo nga mesi i vitit 2028 dhe deri në fund të vitit 2029 të bëhen ratifikimet nëpër parlamentet e vendeve anëtare”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “nëse ne, nuk do t’i kishim ato vota në Parlament, ne sot nuk do të kishim më negociata me Bashkimin Europian, por do të kishim presion për të bërë negociata me palavitë që kemi në opozitë, sepse do të na kishin marrë peng. Do të na kishin marrë peng në emër të integrimit”.
“Them këtë për të pasur parasysh të gjithë që, kur thosha se na duhet një mandat më i fortë se ai më përpara, shikoja pikërisht atë që vinte më pas dhe jo pushtetin tim, jo ndonjë ambicie timen për të marrë më shumë karrige në parlament, por thjesht dhe vetëm misionin tim dhe të tonin për të mos lejuar që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian të merret peng nga askush dhe për ta çuar deri në fund një mision që është një mision historik, por që njëkohësisht është edhe një mision thelbësisht përmbajtësor për Partinë Socialiste të Shqipërisë”, theksoi Rama.
Këtu, vijoi Rama, është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kenë parasysh këtë gjë dhe të gjithë ta mbajnë në vëmendje çdo ditë peshën e këtij misioni dhe rëndësinë e Partisë Socialiste në këtë mision.
“Duke pasur parasysh që, përveç familjes sonë politike dhe atyre që ne na e dhanë mbështetjen për ta çuar deri në fund këtë mision, të gjithë të tjerët jo janë kundër nesh se kundër nesh është normale, sepse jemi në një vend demokratik dhe nuk do të jemi të gjithë dakord, por janë të fiksuar për të bërë çdo gjë dhe për të nxjerrë çdo gjë nga goja dhe për të derdhur çdo llum në rrugët e komunikimit, në kanalet e informacionit, që të na pengojnë në këtë rrugë. Dhe këtu vjen nevoja që ne, Partia Socialiste, të bëhemi realisht një mur i pakalueshëm për dezinformacionin. Një mur i pakalueshëm për gjithë ato që thuhen qëllimisht, ligësisht, poshtërsisht dhe pastaj hidhen në qarkullim për të çoroditur dynjanë”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “ne nuk jemi një forcë politike apo një organizatë pa të meta, pa gabime, por ama, nga ana tjetër, ne nuk duhet të lejojmë askënd që të hedhë poshtë dhe të mbulojë me baltë gjithë atë punë të jashtëzakonshme që ne kemi bërë së bashku dhe që e ka sjellë Shqipërinë në këtë pikë ku është sot, që është pika më e mirë ku Shqipëria ka qenë ndonjëherë dhe kjo është një e vërtetë që mund ta prekësh ngado”.
Rama tha se “e kemi nisur këtë rrugë me një vend që kishte më pak se 10 miliardë euro prodhim të përgjithshëm kombëtar. Sot jemi në 27 miliardë euro dhe, me Zotin përpara dhe me Partinë Socialiste në krye, mund të shkojmë në 35 miliardë euro në fund të kësaj dekade. E kemi nisur këtë punë me 300-400 milionë euro investime të huaja në vit dhe vitin e shkuar shkuam në 1,6 miliardë dhe, me Zotin përpara dhe me Partinë Socialiste në krye, ne brenda kësaj dekade mund ta çojmë këtë shifër në dyfishin e saj. Dhe këtë e them duke pasur parasysh projektet që kemi në proces”.
“E nisëm këtë punë me të ardhura për frymë rreth 3 000 euro për person dhe kemi shkuar në 11 000 euro sot që flasim dhe duam të shkojmë në 15 000 në fund të dekadës. Dhe të gjitha këto janë rezultate të shumë gjërave që janë bërë në një vend ku, kur ne e morëm detyrën, numëroheshin 2 milionë turistë, ku për turist numërohej edhe ai “malukati”, paraardhësi im, sa herë kthehej nga vizitat jashtë shtetit. Çdo shqiptar që hynte në kufij, pasi ikte jashtë, numërohej për turist”, tha Rama.
Kryeministri Rama vuri në dukje se “sot nuk kemi 2 milionë, kemi 12 milionë dhe i kemi të tërë me pasaportë të huaj, jo me pasaportë shqiptare. Nuk numërojmë veten kur dalim jashtë dhe kthehemi dhe mjafton të shikosh Gjirokastrën se çfarë ishte, me hotele që numëroheshin me gishtat e njërës dorë, dhe ta shikosh sot se çfarë është, për të kuptuar se çfarë jo thjesht mund të bëhet, por çfarë do të bëhet me Zotin përpara dhe me Partinë Socialiste në krye”.
Burimi ATSH



















