Rama: Do rrisim në mënyrë të konsiderueshme financimet për startup-et

Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua sot finalja e Festivalit Kombëtar të Shkencës, një platformë konkuruese dhe promovuese, që kishte si protagonistë të rinjtë e gjimnazeve të vendit


Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua sot finalja e Festivalit Kombëtar të Shkencës, një platformë konkuruese dhe promovuese, që kishte si protagonistë të rinjtë e gjimnazeve të vendit, të cilët prezantuan projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale.

I pranishëm në ceremoninë e shpalljes së fituesve, kryeministri Edi Rama vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe theksoi rëndësinë e këtij organizimi, si një hap i parë drejt një rruge të gjatë dhe të suksesshme në fushën e dijes dhe teknologjisë.

Duke iu drejtuar të rinjve, kryeministri theksoi se Shqipëria sot ka nevojë për të vënë në lëvizje të gjithë potencialin që fshihet në shtratin e gjeneratës së tyre.

“Jeni shumë të vegjël me ‘parametrat’ e vjetër, por jeni shumë gati me ‘parametrat’ e kohës së re kur inovacioni dhe transformimet epokale në këtë botë të sotme të teknologjisë janë me origjinë pikërisht në shtratin e gjeneratës tuaj dhe di t’ju them që ne kemi bërë shumë përsa i përket teknologjisë”, u shpreh ai.

Kryeministri solli në vëmendje transformimin e Shqipërisë nga një vend ku ishte e pamundur të merrje një shërbim pa mbajtur radha të gjata, në një vend që u kthye në pararojë në rajon dhe u dallua në Europë mes vendeve që shfrytëzuan teknologjinë për të ofruar shërbime publike online.

Por, nga ana tjetër, Rama theksoi se “jemi shumë të vetëdijshëm që nëse në sektorin publik kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, në sektorin privat kemi shumë për të bërë akoma”.

“Jemi duke punuar për të rritur në mënyrë të konsiderueshme financimet për startupet dhe për të rritur mbështetjen për të gjithë ata që kanë një potencial dhe nesër mund të kthehen krijues dhe themelues të startupeve”, u shpreh ai.

Rama siguroi nxënësit pjesëmarrës në Festivalin Kombëtar të Shkencës se qeveria do të bashkëpunojë me shkollat duke krijuar një sistem që do të mbështetet dhe me financime për zhvillimin e projekteve të tyre.

“Ndërkohë edhe ju vetë përmes zhvillimit të këtyre projekteve të hyni në këtë rrugë të pafundme të teknologjisë së re”, iu drejtua Rama nxënësve finalistë.

Kryeministri falënderoi qeverinë gjermane dhe qeveritë e vendeve të tjera të Bashkimit Europian që mbështesin projektet e Shqipërisë në këtë fushë.

“Falënderoj ambasadorin e Bashkimit Europian, i cili është këtu i pranishëm dhe përfaqëson një forcë të jashtëzakonshme mbështetëse në fushën e dixhitalizimit, në fushën e teknologjive të reja që është Bashkimi Europian”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që të punohet me universitetet dhe shkollat e mesme për të rritur kapacitetin e aplikimeve me projektet e duhura për të aksesuar më shumë fondet e Bashkimit Europian për teknologjitë e reja.

Në përfundim të festivalit, vendin e parë e fitoi shkolla e mesme “Zhani Ciko” në Patos, me një projekt të fokusuar te rëndësia e bletëve dhe ndërthurja e teknologjisë me natyrën.

Projekti u vlerësua për qasjen inovative dhe mesazhin e tij mbi qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Kryeministri Rama, i cili u ftua të dorëzojë çmimin e vendit të parë, vlerësoi këtë arritje si një dëshmi se në kohën e sotme, përtej pozicionit gjeografik, ajo që bën diferencën është dija, vullneti dhe fuqia e ideve.

“Vendin e parë, si kurorëzim i një udhëtimi të jashtëzakonshëm drejt dijes, ku mendimi kritik, guximi për të sfiduar të panjohurën dhe forca e krijimtarisë u shndërruan në një arritje të lartë në Festivalin Kombëtar të Shkencës, e fiton shkolla e mesme ‘Zhani Ciko’”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky çmim i parë tregon atë çka kjo kohë e re e teknologjisë ka sjellë për të gjithë pavarësisht pozicionit të tyre gjeografik.

“Pavarësisht nëse jetojnë në një shtet të madh apo të vogël, pavarësisht nëse jetojnë në një qendër apo në një periferi, mjafton dija, mjafton fuqia e ëndrrës dhe mjafton vullneti së bashku me një smartphone apo një kompjuter për të sunduar fatin edhe për të ndryshuar botën. Dhe shembulli i vajzave dhe djemve nga Patosi është një shembull kuptimplotë i këtij festivali”, tha Rama.

Festivali Kombëtar i Shkencës, një nismë e mbështetur nga Ministria e Arsimit, e shndërroi shkollën në një hapësirë që nxit krijimtarinë dhe inovacionin, duke inkurajuar të rinjtë të zbatojnë njohuritë në praktikë dhe në mënyrë të pavarur, si dhe të forcojë bashkëpunimin mes arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat.

Finalja e Festivalit vjen pas një “udhëtimi” që nisi me një ide, mori jetë në laboratorët e 300 gjimnazeve në mbarë Shqipërinë me pjesëmarrjen e mbi 6 mijë nxënësve dhe në fund u kurorëzua në një produkt konkret në shërbim të shoqërisë.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: Do rrisim në mënyrë të konsiderueshme financimet për startup-et

Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua sot finalja e Festivalit Kombëtar të Shkencës, një platformë konkuruese dhe promovuese, që kishte…

Global 360

GJED: Marrëveshja Shqipëri-Itali për migrantët e ligjshme. Meloni: Ecim përpara

Protokolli Itali-Shqipëri “është i pajtueshëm” me rregullat e BE-së mbi riatdhesimin dhe azilin, me kusht që “të drejtat e emigrantëve…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Do rrisim në mënyrë të konsiderueshme financimet për startup-et

Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua sot finalja e Festivalit Kombëtar të Shkencës, një platformë konkuruese dhe promovuese, që kishte…