
Rama inspekton konviktin e ri në Dibër: Kushte moderne për nxënësit
Modernizimi i infrastrukturës arsimore në të gjithë shkollat e vendit, mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë për garantimin e kushteve bashkëkohore të mësimdhënies dhe jetesës për nxënësit.

Modernizimi i infrastrukturës arsimore në të gjithë shkollat e vendit, mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë për garantimin e kushteve bashkëkohore të mësimdhënies dhe jetesës për nxënësit.
Investimet e realizuara, synojnë jo vetëm rikonstruksionin e ambienteve ekzistuese, por edhe ndërtimin e hapësirave moderne që plotësojnë standardet europiane, duke krijuar kushte dinjitoze për arsimimin dhe formimin profesional të të rinjve në çdo rajon të vendit.
Në këtë kuadër, gjatë vizitës në Dibër, Kryeministri Edi Rama inspektoi konviktin e ri të Shkollës së Mesme Profesionale “Nazmi Rushiti”, një investim i rëndësishëm që rrit cilësinë e jetesës për nxënësit dhe mbështet zhvillimin e arsimit profesional në zonë.
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, tha se konvikti i ri ka një kapacitet prej 120 vendesh dhe ofron kushte moderne akomodimi, duke garantuar një balancë të mirë gjinore mes nxënësve.
“Kapaciteti është 120 nxënës, 60 çuna 60 goca. Këtë balancën gjinore e kemi shumë të mire në Dibër, si gjithmonë. Edhe nga 240 nxënësit që janë në shkollë, janë 122 djem dhe 118 vajza. Besoj se është një ndër shkollat e pakta profesionale që e kemi kaq të mirë këtë balancën gjinore”, u shpreh ajo.
Zëvendësministrja bëri të ditur gjithashtu ngritjen e një qendre të re për të rinjtë, e cila funksionon si një hapësirë inovacioni dhe punësimi në distancë.
“Kemi krijuar këtë qendër këtu, e cila është e treta pas Tropojës dhe Kukësit për punësimin e të rinjve. I gjithë trajnimi dhe punësimi realizohet online. Aktualisht kemi 15 të rinj që kanë nisur punën prej një muaji dhe synojmë ta zhvillojmë më tej si një innovation hub për startup-et e vogla”, u shpreh Manjani.
Kjo qendër është pjesë e iniciativës “Digital Roots”, e mbështetur nga Startup Albania Agency, e cila lidh drejtëpërdrejtë të rinjtë me tregun global përmes trajnimeve praktike dhe punësimit në sektorin digjital. Zyra në Dibër synon të shndërrohet në një Creative Hub rajonal, duke mbështetur sipërmarrjen, zhvillimin e bizneseve të reja dhe ofrimin e shërbimeve digjitale për tregun vendas dhe ndërkombëtar.
Në vijim, kryeministri pa nga afër edhe ambientet e brendshme të konviktit, përfshirë mjediset e gatimit, si dhe hapësirat e shërbimit, dhomat e akomodimit, si dhe ambiente të dedikuara për personelin kujdestar, të pajisura më së miri, me të gjitha kushtet e nevojshme.
“Kjo është kuzhina, ka zonja që kanë nga 30-40 vite që punojnë këtu. Këtu janë pajisjet, të cilat janë shumë moderne. Këtu është infermieria, zyra, ka shumë ambiente shërbimi. Sipër do ngjitemi te dhomat e konviktit. Dhomat janë pajisura shumë mirë në të gjitha komoditetet. Këtu janë zyrat e kujdestareve, të kompletuara”, tregoi zëvendësministrja Manjani.
Shkolla e Mesme Profesionale “Nazmi Rushiti” ofron një gamë të gjerë profilesh, duke përfshirë ekonomi-biznes, teknologji informacioni dhe komunikimi, hoteleri-turizëm dhe gjeologji-miniera. Ajo bashkëpunon me 36 biznese dhe rreth 95% e nxënësve zhvillojnë praktikat profesionale pranë tyre, duke forcuar lidhjen mes arsimit dhe tregut të punës.
Gjithashtu, shkolla është pjesë e sistemit dual dhe projekteve ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin me partnerë zviceranë në fushën e hoteleri-turizmit, një profil me interes në rritje për të rinjtë dhe bizneset lokale.
Gjatë vizitës, Kryeministri Rama u interesua edhe për përfundimin e konvikteve të tjera në zonë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të investimeve për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në arsimin profesional.
Burimi ATSH


















