
Dhuka: Përmirësim i stabilimenteve bujqësore në kuadër të negociatave, në 900 biznese do të verifikohen standardet
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, u shpreh sot se Shqipëria ndodhet në moment historik të rrugëtimit drejt familjes evropiane dhe në fazë vendimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimi Evropian.

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, u shpreh sot se Shqipëria ndodhet në moment historik të rrugëtimit drejt familjes evropiane dhe në fazë vendimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimi Evropian.
Në takimin e mbajtur në Tiranë për sigurinë ushqimore, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, drejtuesja e AKU-së, Blerina Gjylameti, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato dhe kryeinspektori Dashnor Sula, Dhuka tha se gjatë vitit 2025 Shqipëria ka çelur negociatat për të gjitha fushat, duke përfshirë 33 kapituj dhe tashmë ka hyrë në fazën më intensive, atë të përgatitjes teknike për mbylljen e negociatave.
Një nga fushat më të rëndësishme ku po përqendrohen puna, siç u shpreh Dhuka, është siguria ushqimore.
Kryengociatorja theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian është një proces i thellë transformimi, që prek jo vetëm tregun, por edhe bujqësinë dhe prodhimin bujqësor në vend.
“Standardet evropiane të sigurisë ushqimore janë një arsye e fortë dhe me shumë vlerë për transformimin e stabilimenteve dhe produkteve shqiptare, si për prodhuesit dhe eksportuesit, ashtu edhe për konsumatorët shqiptarë dhe evropianë”, u shpreh Dhuka.
Dhuka nënvizoi se Shqipëria duhet të arrijë të gjitha standardet ushqimore të BE-së, duke u bërë pjesë e tregut të përbashkët evropian. Ky proces, sipas saj, përbën një mundësi për modernizimin e sektorit bujqësor, për ndërtimin e stabilimenteve më të avancuara dhe për forcimin e institucioneve të kontrollit dhe cilësisë.
“Një ndryshim thelbësor që sjell anëtarësimi është unifikimi i standardeve. Ndryshe nga situata aktuale, ku ekzistojnë standarde të ndryshme për tregun e brendshëm dhe për eksportet, pas anëtarësimit të njëjtat standarde do të zbatohen për të gjitha produktet, si për konsumatorët shqiptarë ashtu edhe për eksportet drejt BE-së. Rregulloret evropiane për higjienën e produkteve me origjinë shtazore si mishi, peshku, vezët dhe nënproduktet do të duhet të përmbushen plotësisht nga prodhuesit shqiptarë”, tha ajo.
Sipas Dhukës, një kërkesë specifike në kuadër të negociatave është hartimi i një programi kombëtar për përmirësimin e stabilimenteve bujqësore. Në këtë kuadër, Dhuka tha se ka nisur faza e parë që përfshin skanimin e të gjitha stabilimenteve, veçanërisht atyre që lidhen me prodhimin dhe përpunimin e mishit, peshkut, qumështit dhe vezëve.
“Ky proces, i cili ka nisur më 14 prill nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe po zbatohet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përfshin mbi 900 stabilimente në të gjithë vendin. Fokusi është në standardet e higjienës në prodhim, ruajtje, transport, grumbullim, përpunim dhe tregtim”, theksoi Dhuka.
Sipas saj, përmirësimet e nevojshme në infrastrukturë, teknologji dhe logjistikë do të realizohen gradualisht deri në vitin 2030 dhe më tej, në përputhje me rregulloret e BE-së, të cilat janë të njëjta për të gjitha vendet anëtare.
Dhuka theksoi se përvoja e vendeve që i janë bashkuar më herët Bashkimit Evropian tregon se integrimi ka shërbyer si katalizator për modernizimin e bujqësisë, duke rritur produktivitetin dhe të ardhurat.
Kryenegociatorja u ndal edhe te përfitimet ekonomike, duke theksuar se tregu i BE-së është një nga më të fuqishmit dhe më të qëndrueshmit në botë, duke ofruar mundësi për kontrata afatgjata, pagesa të sigurta dhe kërkesë të vazhdueshme për produkte bujqësore.
“Shqipëria ka një pozicion gjeografik shumë të favorshëm, pranë tregjeve të Bashkimit Evropian, çka përbën një avantazh të madh për eksportuesit shqiptarë”, tha Dhuka.
Burimi ATSH



















