
Rama: Paga e ushtarit bazë do të rritet deri në 70%, mbulojmë edhe kostot e transportit
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka vendosur rritje të konsiderueshme të kompensimeve për ushtarakët shqiptarë, duke përfshirë fonde shtesë, rritje pagash dhe mbulim të kostos së transportit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka vendosur rritje të konsiderueshme të kompensimeve për ushtarakët shqiptarë, duke përfshirë fonde shtesë, rritje pagash dhe mbulim të kostos së transportit.
Në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, Rama theksoi se buxheti i vitit 2026 parashikon një rritje të financimeve për mbrojtjen prej afro 12% krahasuar me vitin e kaluar.
Ai theksoi se kjo rritje është pjesë e angazhimit të Shqipërisë për t’i qëndruar skedulit të financimeve të vendeve të NATO-s, si dhe për të garantuar një trajtim dinjitoz të Forcave të Armatosura.
“Në fund të shkurtit, vendosëm rritjen e pagave për ushtarakët, me efekt të drejtpërdrejtë nga janari, dhe në mbledhjen e fundit të qeverisë, kemi miratuar edhe mbulimin e kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se synimi i qeverisë është që paga e ushtarit bazë të arrijë mesataren e vendeve të NATO-s deri në fund të këtij mandati.
Ai theksoi se objektivi i rritjes së pagës është i qartë dhe ambicioz.
“Deri në fund të këtij mandati, paga e ushtarit bazë do të rritet me deri në 70%”, deklaroi Rama.
Burimi ATSH



















