
Rama: Vëmë në lëvizje Bordin e Transparencës, ulje me 20% e akcizës së naftës kur tejkalohet tavani 220 lekë
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot ringritjen e Bordit të Transparencës, në kuadër të masave të marra nga qeveria për përballimin e rritjes së çmimit të naftës, si rezultat i situatës në Lindjen e Mesme.

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot ringritjen e Bordit të Transparencës, në kuadër të masave të marra nga qeveria për përballimin e rritjes së çmimit të naftës, si rezultat i situatës në Lindjen e Mesme.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri u ndal te impakti i drejtpërdrejtë që krijuar me rritjen e çmimit të hidrokarbureve sulmet në Lindjen e Mesme.
“Çdo krizë, sado larg nesh projektohet edhe tek ne. E kam fjalën për atë që po shfaqet ditët e fundit si një impakt i drejtpërdrejtë i luftës që SHBA dhe Izraeli i kanë hapur regjimit kriminal të Teheranit, një impakt në të gjitha pompat e furnizimit me naftë dhe me benzinë”, tha Rama.
Sipas tij, “çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje”.
Për këtë arsye, Kryeministri informoi se qeveria ka vendosur në lëvizje Bordin e Transparencës, që e ka përdorur edhe më parë në situata të ngjashme.
Një tjetër vendim i marrë, sipas kreut të qeverisë, është edhe ulja e akcizës të naftës me 20%, çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve.
“Deri tani nuk shikojmë impakt në të tjera çmime por fatmirësisht jemi në kushtet kur kemi një borxh dhe deficit jo vetëm nën kontroll, por edhe goxha të ulët, që na mundëson pikërisht që në momente të tilla të kemi edhe një hapësirë në dispozicion për të mos lënë vetëm askënd, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo fazë, por qeveria ka në vëmendje në radhë të parë pensionistët.
“Nuk do të bëjmë asnjë gjë që nuk do të shkojë për të siguruar ata për së pari. Këtë duhet ta dinë të gjithë sepse në fund të ditës nëse çmimet impaktohen pensionistët janë ata që e vuajnë më shumë se të tjerët impaktin mbi çmimet”, shtoi Rama.
Burimi ATSH



















