
Ibrahimaj: Tregu i karburanteve në monitorim ditor, nuk ka problem me furnizimin
Tensionet në rritje në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të nxitura nga konflikti me Iranin dhe luhatjet e çmimeve të naftës, kanë shtuar vëmendjen e institucioneve shqiptare ndaj funksionimit të tregut vendas të hidrokarbureve.

Tensionet në rritje në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të nxitura nga konflikti me Iranin dhe luhatjet e çmimeve të naftës, kanë shtuar vëmendjen e institucioneve shqiptare ndaj funksionimit të tregut vendas të hidrokarbureve.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, shpjegoi masat që po ndërmerren për të garantuar furnizimin me karburant, për të monitoruar ecurinë e çmimeve dhe për të parandaluar çdo rast spekulimi në treg.
Ibrahimaj bëri të diturs se përfshirja e disa institucioneve në monitorimin e tregut lidhet me rolet e ndryshme që ato kanë në mbikëqyrjen e tij. Sipas saj, analizimi i strukturës së tregut dhe verifikimi i rasteve të mundshme të abuzimit është pjesë e punës së institucioneve të ndryshme, ndërsa ministritë përgjegjëse ndjekin zhvillimet e çmimeve dhe situatën e furnizimit.
“Autoriteti i Konkurrencës, si institucion i pavarur, ndjek proceset që lidhen me funksionimin e tregut dhe ka detyra specifike për të identifikuar abuzime apo shfaqje të një tregu oligopolistik. Ndërkohë, ne si ministri linje kemi marrë masa që prej fillimit të krizës për të aktivizuar të gjitha entitetet shtetërore me qëllim monitorimin sa më të mirë të situatës dhe garantimin e mos lejimin e spekulimeve në tregun e karburanteve”, u shpreh ministrja.
Ajo bëri të ditur se në takimet e zhvilluara me operatorët kryesorë të tregut dhe me përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve është diskutuar për gjendjen e rezervave të detyrueshme të karburanteve dhe për sigurinë e furnizimit në tregun shqiptar.
“Në takimin që zhvilluam me tregtarët kryesorë të karburanteve diskutuam mbi rezervën e detyrueshme që kompanitë duhet të mbajnë sipas ligjit dhe kompanitë garantuan përmes dokumentacioneve se këto rezerva ekzistojnë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të kryejë edhe verifikime në terren për të konfirmuar të gjitha shifrat që ne tashmë i kemi në dokumente”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, nga verifikimet paraprake rezulton se nuk ka problematika që lidhen me zinxhirin e furnizimit.
“Ajo që mund të konfirmoj është që rezervat ekzistojnë dhe nuk kemi problematika të lidhura me zinxhirin e furnizimit. Pjesa më e madhe e tregtarëve kanë kontrata afatgjata me furnitorët e tyre, prandaj nuk ka një rrezik momental për mungesë të produktit në tregun shqiptar”, theksoi ministrja.
Në analizën e situatës, institucionet po ndjekin çdo ditë edhe ecurinë e çmimeve në tregun vendas.
Ibrahimaj shpjegoi se monitorimi bazohet në krahasimin e tre niveleve kryesore të çmimit: çmimin në bursat ndërkombëtare, çmimin e zhdoganimit dhe çmimin final të shitjes në treg.
“Prej më shumë se një jave ne kemi filluar të monitorojmë në bazë ditore çmimet, duke u nisur nga çmimet e bursës për produktet që tregtohen në Shqipëri, duke vazhduar me çmimet me të cilat produkti zhdoganohet dhe më pas me çmimin në treg. Këto tre nivele na tregojnë se si po shkon tregu dhe sa shpejt po reflektohet çmimi i bursës në çmimet e shitjes”, u shpreh ajo.
Sipas ministres, të dhënat e fundit tregojnë një rënie të lehtë të çmimit të naftës në tregun vendas, në përputhje me zhvillimet në bursat ndërkombëtare.
“Nëse në datën 10, që ishte kulmi i çmimit, nafta arriti rreth 198 lekë për litër, sot mesatarisht në treg tregtohet rreth 192 lekë për litër. Pra kemi një reduktim që pasqyron edhe tendencën rënëse të çmimeve në bursë gjatë javës së fundit”, tha Ibrahimaj.
Në të njëjtën kohë, institucionet fiskale, Tatimet dhe Doganat kanë ngritur një taskforcë për të verifikuar në terren rastet e mundshme të spekulimit me çmimet.
“Qëllimi i saj është kontrolli dhe verifikimi i rasteve të mundshme të spekulimit, nëse kompanitë kanë rritur çmimet ndërkohë që kanë pasur rezerva të blera me çmime të tjera”, tha Ibrahimaj.
Ajo theksoi se në mungesë të një sistemi që pasqyron inventarin e karburanteve në kohë reale, kontrollet fizike në terren mbeten të domosdoshme për të verifikuar situatën.
“Nuk kemi një sistem që të na tregojë në kohë reale se sa karburant ka apo ka pasur në depozitë një pikë shitje me pakicë. Për këtë arsye është e nevojshme që të bëhen kontrolle fizike për të verifikuar situatën”, u shpreh ministrja.
Nëse gjatë këtyre kontrolleve konstatohen raste të rritjes spekulative të çmimeve, institucionet përgjegjëse do të ndërmarrin procedurat përkatëse ligjore.
“Në rast se verifikimet tregojnë se kompanitë kanë rritur çmimet në mënyrë spekulative, ndonëse kanë pasur rezerva të blera me çmime të tjera, do të ndiqen procedurat sipas kodit të procedurave tatimore dhe doganore për rivlerësimin e të ardhurave dhe të llogarive të bizneseve”, tha ajo.
Duke folur për mundësinë e ndërhyrjes në treg në rast të një rritjeje të shpejtë të çmimeve, Ibrahimaj theksoi se ekziston një mekanizëm ligjor që mund të aktivizohet në situata të tilla.
“Ne kemi bordin e transparencës për karburantet, një mekanizëm ligjor i miratuar në vitin 2022, që mund të aktivizohet sa herë që ka rritje të shpejtë të çmimeve të karburanteve, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit”, u shpreh ajo.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se qeveria po punon për disa masa strukturore në sektorin e hidrokarbureve, të cilat lidhen me rezervat strategjike dhe stabilizimin e tregut.
“Në kuadër të integrimit europian po punojmë për krijimin e një entiteti shtetëror që do të mbajë një rezervë të detyrueshme tremujore të karburanteve, në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Kemi gati një draftligji për këtë model dhe shumë shpejt do ta bëjmë publik”, tha Ibrahimaj.
Paralelisht, sipas saj, është në proces edhe krijimi i një operatori shtetëror në tregun e shumicës së karburanteve, i cili do të shërbejë si mekanizëm stabilizues për tregun.
“Po punojmë gjithashtu për pasjen në treg të një operatori shtetëror të shumicës së karburanteve, i cili do të shërbejë si një amortizator për tregun dhe do të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve”, theksoi ministrja.
Ibrahimaj nënvizoi se institucionet shqiptare po analizojnë vazhdimisht edhe politikat fiskale dhe zhvillimet në treg për të kufizuar ndikimin e krizave ndërkombëtare në ekonominë vendase.
“Qëllimi ynë është që ekonomia shqiptare dhe buxheti i familjeve të ndikohen sa më pak nga krizat. Për këtë arsye monitorojmë në bazë ditore jo vetëm çmimet e karburanteve, por edhe çmimet e produkteve kryesore ushqimore”, theksoi ministrja.



















