
Nis zbatimi i JURONIX, Gogu: Rritet transparenca dhe aksesi i qytetarëve në drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori pjesë dje në aktivitetin e organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për nisjen e fazës së zbatimit të projektit JURONIX, një investim i përbashkët i mbështetur nga qeveria shqiptare dhe qeveria suedeze

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori pjesë dje në aktivitetin e organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për nisjen e fazës së zbatimit të projektit JURONIX, një investim i përbashkët i mbështetur nga qeveria shqiptare (9 milionë euro) dhe qeveria suedeze (2 milionë euro), që synon modernizimin digjital të administrimit të drejtësisë dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në shërbimet gjyqësore.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se digjitalizimi i drejtësisë nuk është thjesht modernizim teknologjik, por një instrument i drejtpërdrejtë për të arritur tre objektiva themelorë të politikave publike në fushën e drejtësisë: forcimin e garancive proceduriale dhe të të drejtave të njeriut, rritjen e efikasitetit të sistemit, si dhe kodifikimin dhe modernizimin e kuadrit ligjor në përputhje me acquis të Bashkimit Europian.
Gogu nënvizoi rëndësinë e përvojës reale të qytetarit në sistem, duke e lidhur modernizimin me procesin e rregullt ligjor dhe aksesin efektiv në drejtësi.
“Procesi i rregullt ligjor, barazia e palëve, transparenca proceduriale dhe e drejta për t’u dëgjuar janë shtylla të shtetit të së drejtës. Kur administrimi i çështjeve bëhet më i strukturuar, më i gjurmueshëm dhe më i kontrollueshëm institucionalisht, rritet standardi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe fuqizohet aksesi në drejtësi”, tha ai.
Duke u ndalur te performanca e sistemit dhe pritshmëritë e qytetarëve e bizneseve për vendimmarrje në kohë, ministri theksoi se “efikasiteti nuk është vetëm luksi teknologjik, por është kushti që drejtësia të jetë realisht e aksesueshme.”
Në të njëjtën linjë, Ministri vuri në dukje se modernizimi digjital duhet të ecë paralel me modernizimin e kuadrit ligjor, për të rritur sigurinë juridike dhe për të avancuar në rrugën europiane të vendit.
“Modernizimi i administrimit të drejtësisë shkon paralel me modernizimin e kuadrit ligjor. Qëllimi është rritja e sigurisë juridike dhe harmonizimi i vazhdueshëm me acquis të Bashkimit Europian”, tha Gogu.
Ministri garantoi se Ministria e Drejtësisë do të jetë partner aktiv gjatë gjithë zbatimit të JURONIX: duke luajtur rolin e koordinatorit, politikëbërësit dhe kërkuesit të standardeve në sistemin e drejtësisë; duke mbështetur koordinimin ndërinstitucional, ndërtimin e kapaciteteve dhe respektimin e standardeve të sigurisë e mbrojtjes së të dhënave, me qëllim që ky investim të sjellë përfitim të prekshëm për qytetarin dhe të rrisë besimin te drejtësia.
Projekti ‘JURONIX’ është një platformë e avancuar që synon transformimin digjital të administrimit të drejtësisë dhe rritjen e transparencës, efikasitetit dhe besueshmërisë së proceseve gjyqësore. Projekti ka përfunduar fazat e inicimit, analizës dhe planifikimit dhe ka hyrë në fazën e ekzekutimit dhe implementimit të komponentëve kryesorë. Platforma mbështetet në infrastrukturë moderne, me standarde të larta sigurie dhe mbrojtjeje të të dhënave në përputhje me GDPR (rregullorja e BE-së për mbrojtjen e të dhënave), si dhe mekanizma të vazhdimësisë së shërbimit. Paralelisht, procesi i digjitalizimit të arkivave gjyqësore ka transformuar mbi 12.9 milion faqe dokumentesh në format digjital, duke krijuar një arkivë të kërkueshme dhe të integruar.
Burimi ATSH



















