
Mateu Boçi shpallet kampion Europe, Rama: Lajm i bukur për shahun shqiptar
Shahisti Mateu Boçi, përfaqësues i Klubit Sportiv Tirana, është shpallur kampion Evrope në kategorinë U-16, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Shahut për të Rinj 2026, që u zhvillua në Hersonissos të Kretës.

Shahisti Mateu Boçi, përfaqësues i Klubit Sportiv Tirana, është shpallur kampion Evrope në kategorinë U-16, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Shahut për të Rinj 2026, që u zhvillua në Hersonissos të Kretës.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot këtë arritje të shahistit të ri shqiptar, teksa e cilësoi si një lajm të bukur për shahun shqiptar.
Boçi mori pjesë në kategorinë U-16, në Kampionatin Europian të Shahut për grupmoshat U8, U10, U12, U14, U16 dhe U18, të zhvilluar në Kretë të Greqisë në datat 4–12 nëntor.
Edhe Federata Shqiptare e Shahut njoftoi suksesin e të riut shqiptar, që arriti të dalë mbi të gjithë rivalët e tij në një prej garave më të rëndësishme të kontinentit për moshat e reja.
Boçi u përball me shahistët më të mirë evropianë të kategorisë së tij, duke treguar talent, guxim dhe vendosmëri përgjatë kampionatit, për të siguruar vendin e parë.
Federata Shqiptare e Shahut ka uruar kampionin, trajnerin e tij personal Kristaq Andoni, si dhe familjen e tij, duke vlerësuar punën dhe sakrificat që qëndrojnë pas këtij triumfi.
Ky rezultat përbën një moment të veçantë për shahun shqiptar dhe një sukses që e ngre flamurin kuqezi në majën e Evropës.
Burimi ATSH



















