
Gonxhja: Banka Botërore tre milionë dollarë grant për projektin e zhvillimit të turizmit në Shqipëri
Banka Botërore, përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të mbështesë me një grant prej tre milionë dollarësh përgatitjen e projektit për zhvillimin e integruar të ekosistemit turistik në Shqipëri.

Banka Botërore, përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të mbështesë me një grant prej tre milionë dollarësh përgatitjen e projektit për zhvillimin e integruar të ekosistemit turistik në Shqipëri.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se “miratuam në qeveri vendimin për marrëveshjen e grantit me BB-në. Risia kryesore është një plan i përbashkët që lidh destinacionet turistike me nevojat e tyre për infrastrukturë, shërbime, aftësi profesionale dhe menaxhim.
Sipas Gonxhes, kjo qasje e re synon që investimet e ardhshme të plotësojnë njëra-tjetrën dhe të gjenerojnë përfitime për një numër më të madh komunitetesh.
“Nisma synon të lidhë më mirë bregdetin me zonat e brendshme. Do të studiohen mundësitë për të lidhur destinacionet më të frekuentuara me atraksione të tjera natyrore e kulturore që vizitorët të eksplorojnë më shumë zona të Shqipërisë. Nxitet turizmi jashtë sezonit veror dhe mundësitë për një ofertë edhe më të larmishme që tërheq vizitorë në periudha të ndryshme të vitit dhe që krijon një perspektivë për aktivitet ekonomik më të qëndrueshëm, si dhe rriten përfitimet për ekonominë vendase”, theksoi Gonxhja.
Ministri u shpreh se “vëmendja do të përqendrohet te cilësia e ofertës dhe shërbimeve me synimin që turizmi të sjellë më shumë të ardhura dhe punësim edhe më cilësor”.
Me anë të kësaj nisme, vijoi Gonxhja, përmirësohet menaxhimi i destinacioneve, forcohen kapacitetet e institucioneve, përfshirë përdorimin e të dhënave dhe sistemeve digjitale edhe në turizëm.
Gjithashtu, shtoi ministri, do të rritet bashkëpunimi rajonal duke studiuar lidhjet turistike ndërkufitare, që e pasurojnë ofertën dhe mbështesin interesin ekonomik e strategjik të vendit tonë.
Sa i përket përdorimit të fondeve, Gonxhja tha se “ky grant do të financojë hartimin e planit turistik, identifikimin e ndërhyrjeve prioritare dhe studimet për të vlerësuar realizueshmërinë, kostot dhe ndikimet e tyre në mjedis dhe tek banorët. Ai do të mbulojë gjithashtu përgatitjen e dokumentacionit dhe kapaciteteve institucionale të nevojshme për projektim dhe për ecurinë e mëtejshme të zbatimit të projektit”.
“Kostot e kësaj faze, përfshirë kostot operative të njësisë së zbatimit të projektit, mbulohen nga vetë granti, pa detyrime financiare shtesë për buxhetin e shtetit në këtë fazë”, tha ministri.
Aktivitetet parashikohen të zbatohen nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit në bazë të marrëveshjes së zbatimit me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
“Në përputhje me strategjinë tonë kombëtare të turizmit 2024-2030 së bashku me partnerët tanë të Bankës Botërore kemi qëllim investimet që përmirësojnë destinacione turistike që krijojnë mirëqenie për komunitetet dhe ruajnë dhe promovojnë pasuritë natyrore e kulturore të Shqipërisë”, tha Gonxhja.
Burimi ATSH



















