
Rregullat e BE-së për tregjet digjitale, projektligji konsultohet me biznesin
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi një tryezë konsultimi me komunitetin e biznesit dhe institucionet publike për projektligjin që synon zbatimin në Shqipëri të Aktit për Tregjet Digjitale dhe Rregullores P2B të Bashkimit Evropian.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi një tryezë konsultimi me komunitetin e biznesit dhe institucionet publike për projektligjin që synon zbatimin në Shqipëri të Aktit për Tregjet Digjitale dhe Rregullores P2B të Bashkimit Evropian.
Takimi u zhvillua në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian, në bashkëpunim me GIZ, ndërsa në fokus ishte përafrimi i kuadrit ligjor shqiptar me standardet evropiane në fushën e tregjeve dhe platformave digjitale.
Sipas ministrisë, nisma synon të vendosë rregulla më të qarta dhe transparente në marrëdhëniet mes bizneseve dhe platformave online, duke parashikuar kushte më të qarta për bizneset, njoftim paraprak për ndryshimet në kushtet e platformave dhe më shumë transparencë në renditjen e produkteve dhe shërbimeve.
Projektligji parashikon gjithashtu mekanizma më efikasë për trajtimin e ankesave dhe ndërmjetësimin mes palëve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësoi bashkëpunimin me komunitetin e biznesit në kuadër të Kapitullit 10 “Transformimi Digjital dhe Media”, duke e lidhur këtë proces me krijimin e një ekonomie digjitale më moderne dhe një mjedisi më të sigurt e të besueshëm për konsumatorët dhe bizneset.
Konsultimi është pjesë e përpjekjeve për përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së në fushën e transformimit digjital.
Burimi ATSH


















