
Elbasani kandidat për “European City of Sport 2027”
Presidenti dhe Themeluesi i ACES Europe, Gian Francesco Lupattelli, së bashku me Komisionin e Vlerësimit, u njohën me të dhëna të detajuara mbi sportin në Elbasan, investimet e kryera, infrastrukturën sportive dhe aktivitetet e zhvilluara në qytet.

Në sallën e konferencave të Pallatit të Sportit “Tomor Sinani” u zhvillua prezantimi zyrtar i kandidaturës së Elbasanit për titullin “European City of Sport 2027”, në vijim të procesit të nisur në fillim të këtij viti.
Presidenti dhe Themeluesi i ACES Europe, Gian Francesco Lupattelli, së bashku me Komisionin e Vlerësimit, u njohën me të dhëna të detajuara mbi sportin në Elbasan, investimet e kryera, infrastrukturën sportive dhe aktivitetet e zhvilluara në qytet.
Kandidatura u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Artit, Kulturës dhe Sporteve në bashkinë Elbasan, Artin Kovaçi, i cili paraqiti projektin dhe elementët kryesorë që lidhen me zhvillimin e sportit në qytet.
Elbasani ka një traditë të konsoliduar sportive dhe një infrastrukturë që mbështet zhvillimin e disiplinave të ndryshme sportive.
Në qytet zhvillohen sporte si basketbolli, volejbolli, handbolli, atletika, karateja, çiklizmi, ping-pongu, peshëngritja, si edhe aktivitete të tjera sportive. Kjo larmi është pjesë e potencialit mbi të cilin mbështetet kandidatura e Elbasanit për “European City of Sport 2027”.
Kandidatura synon gjithashtu të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë dhe talentet e reja, të nxisë pjesëmarrjen në aktivitete sportive dhe të forcojë rolin e sportit në jetën e komunitetit. Këto objektiva janë pjesë e rrugëtimit të Elbasanit drejt rrjetit ACES Europe, ku sporti shihet si një element i rëndësishëm i zhvillimit dhe promovimit të qytetit.
Gjatë prezantimit, Komisioni i Vlerësimit vlerësoi projektin e paraqitur dhe përcaktoi disa detyra dhe elementë që duhet të përmbushen në vijim të procesit të vlerësimit.
Kandidatura e Elbasanit për “European City of Sport 2027” vijon tashmë në një fazë të rëndësishme të vlerësimit, duke vendosur në fokus traditën sportive të qytetit, investimet në infrastrukturë, aktivitetet e zhvilluara dhe mundësitë për përfshirjen e mëtejshme të komunitetit.
Elbasani synon ta kthejë sportin në një nga kartëvizitat më të rëndësishme të qytetit dhe, përmes këtij procesi, të forcojë edhe më tej profilin e tij sportiv në nivel europian.


















