
Zjarret në Himarë dhe Fier, Rama: Situata nën kontroll, vijon evidentimi i dëmeve
Kryeministri Edi Rama deklaroi se situata pas zjarreve në Himarë dhe Fier është nën kontroll, ndërsa nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se situata pas zjarreve në Himarë dhe Fier është nën kontroll, ndërsa nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga zonat e prekura, duke theksuar se Himara dhe Fieri kaluan një natë të vështirë për shkak të zjarreve.
“Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi se strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve.
“Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente”, tha Rama.
Ndërkohë, strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e zonave të prekura dhe ndërhyrjet sipas nevojës.
Në Himarë, flakët prekën zonat pranë banesave, duke shkaktuar dëme materiale dhe detyruar evakuimin e një pjese të banorëve e turistëve.
Edhe në zonën e Fierit u regjistruan vatra të fuqishme zjarri, ndërsa gjatë operacionit u angazhuan forca në terren dhe mjete ajrore për shuarjen e flakëve.
Zjarret në Himarë dhe Fier u përballuan gjatë natës së të premtes përmes një operacioni të gjerë nga toka dhe ajri, ku u angazhuan Forcat e Armatosura, strukturat zjarrfikëse dhe shërbimet e emergjencave. Në Fier, 55 efektivë të FA-së u mbështetën nga dy helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Himarë u angazhuan 171 efektivë, mjete dhe një automjet zjarrfikës.
Në terren për ndjekjen dhe koordinimin e situatës ishte edhe ministri i Brendshëm, Besnik Lamallari, së bashku me strukturat përgjegjëse.
Burimi ATSH



















