
QZ.com: Tirana një nga destinacionet më të përballueshme në Evropë për vitin 2026
Tirana është një nga kryeqytetet më të lira në Evropë për t’u vizituar, shkruan Cris Tolomia i QZ.com, media ndërkombëtare me theks të fortë te biznesi dhe ekonomia, e ngjashme në profil me media si ”Bloomberg” ose ”Financial Times”, megjithëse me stil më digjital dhe më të gjerë.

Tirana është një nga kryeqytetet më të lira në Evropë për t’u vizituar, shkruan Cris Tolomia i QZ.com, media ndërkombëtare me theks të fortë te biznesi dhe ekonomia, e ngjashme në profil me media si ”Bloomberg” ose ”Financial Times”, megjithëse me stil më digjital dhe më të gjerë.
”Tirana është shfaqur si një nga kryeqytetet më të lira në Evropë për t’u vizituar.
Një ditë të plotë, të kaluar atje, udhëzuesit e udhëtimeve e vendosin në rreth 60 euro. Kjo është afërsisht një e katërta e asaj që do të kushtonte një ditë e krahasueshme në qendër të Barcelonës.
Kjo përballueshmëri vjen e kombinuar me një qytet që është transformuar dukshëm gjatë dy dekadave të fundit.
Tirana ka rilyer blloqet e apartamenteve të epokës komuniste me ngjyra të ndezura dhe ka shndërruar bunkerët e epokës së Luftës së Ftohtë në muze në vend që t’i shembë ato.
”Bunk’Art 1”, i ndërtuar në një bunker në shpatin e malit jashtë qendrës së qytetit, dhe homologu i tij në qendër të qytetit, ”Bunk’Art 2”, i shoqërojnë vizitorët nëpër dekadat e Shqipërisë nën sundimin izolacionist të Enver Hoxhës.
Kjo epokë formësoi pjesën më të madhe të arkitekturës aktuale të vendit dhe mbetet një pikë e vërtetë kurioziteti për vizitorët nga jashtë rajonit.
Muzeu Historik Kombëtar në sheshin ”Skënderbej” dhe Galeria Kombëtare e Arteve plotësojnë ofertat muzeale të Tiranës, me çmime hyrjeje shumë më të ulëta se normat e Evropës Perëndimore.
Lagjja e Bllokut, dikur e rezervuar për zyrtarët e Partisë Komuniste dhe e ndaluar për qytetarët e zakonshëm, tani është përqendrimi më i dendur i bareve, kafeneve dhe restoranteve në Tiranë.
Ajo tërheq një turmë të re, kryesisht vendase, në vend të një turme ndërkombëtare turistike. Një gotë birrë vendase këtu zakonisht kushton disa euro më pak se në Barcelonë.
Vaktet me shumë pjata në restorantet me vende të ulura mbeten të lira sipas standardeve të Evropës Perëndimore, madje edhe në lokalet më të sofistikuara të qytetit.
Rrjeti i fluturimeve me kosto të ulët në Tiranë është zgjeruar shpejt, i udhëhequr nga transportuesit përfshirë ”Wizz Air”, duke e lidhur qytetin direkt me një listë në rritje të qendrave evropiane.
Mali i Dajtit, i arritshëm me teleferik rreth 25 kilometra nga qendra e qytetit, ofron ecje dhe pamje malore pa dalë nga zona metropolitane. Plazhet e Rivierës Shqiptare janë brenda pak orësh me autobus. Tirana nuk është një qytet plazhi në vetvete, gjë që e dallon atë nga shumica e vendeve të tjera.
Kombinimi i çmimeve të ulëta, mundësisë për të ecur në këmbë dhe një karakteri urban vërtet të veçantë e ka bërë atë një nga destinacionet me buxhet me rritjen më të shpejtë në Evropë për 2026-ën.
Marrë nga ATSH


















