
Sezoni veror në kulmin e tij, Rama ndan pamjet anekënd Shqipërisë
Sezoni veror po regjistron flukse të larta turistësh vendas e të huaj, të cilët kanë në dispozicion një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore, artistike, sportive dhe gastronomike, që e zgjeron ofertën turistike përtej destinacioneve tradicionale bregdetare.

Sezoni veror po regjistron flukse të larta turistësh vendas e të huaj, të cilët kanë në dispozicion një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore, artistike, sportive dhe gastronomike, që e zgjeron ofertën turistike përtej destinacioneve tradicionale bregdetare.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një fotoalbum të destinacioneve kryesore turistike në vend, ku krahas plazheve, pushuesit duket se kanë zgjeruar interesin drejt turizmit alpin dhe atij kulturor.
Përveç qyteteve bregdetare, flukse turistësh vendas e të huaj regjistrojnë edhe qytetet e Beratit, Gjirokastrës e Korçës, ku aktivitetet kulturore dhe sportive ndërthuren me trashëgiminë, gastronominë dhe natyrën.
Në ndihmë të tyre vjen edhe kalendari i aktiviteteve të TEA – Tourism Events of Albania, platforma digjitale e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, e cila pasqyron evente në qytete dhe destinacione të ndryshme të vendit.
Përmes TEA-s, turistët mund të orientohen drejt aktiviteteve të artit, muzikës, festivaleve, sportit, gastronomisë, traditave lokale dhe eksperiencave kulturore.
Nga një kalendar eventesh, TEA është shndërruar tashmë në një udhërrëfyes digjital që përfshin edhe destinacione, pika interesi dhe shërbime turistike.
Sipas UN Tourism Shqipëria renditet sot ndër vendet me fluksin më të lartë të turistëve në raport me popullsinë.
Studimi bazohet në të dhënat më të fundit të UN Tourism, të kombinuara me statistikat e popullsisë nga Banka Botërore, dhe tregon se Shqipëria është tashmë mes vendeve ku numri i vizitorëve tejkalon ndjeshëm numrin e banorëve.
Ky rezultat pasqyron rritjen e jashtëzakonshme të turizmit shqiptar në vitet e fundit. Nga një destinacion pak i njohur, Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, falë vijës bregdetare, trashëgimisë kulturore, peizazheve natyrore dhe interesit në rritje nga vizitorët ndërkombëtarë.
Burimi ATSH


















