
Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike, Rama: U dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund
Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj kritikëve që vunë në dyshim renditjen e Shqipërisë në vendin e parë të National Cyber Security Index duke theksuar se renditja përcaktohet nga një metodologji ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj kritikëve që vunë në dyshim renditjen e Shqipërisë në vendin e parë të National Cyber Security Index duke theksuar se renditja përcaktohet nga një metodologji ndërkombëtare.
Rama tha se “miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan”.
“Një shënim i nevojshëm për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave. Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash. Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur”, theksoi Rama.
Në fakt, shtoi Rama, renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll.
“E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit. Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale. Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve”, nënvizoi Rama.
Duke iu drejtuar kritikëve kryeministri Rama tha se “vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike”.
“Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan. Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë: Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund
Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që prej muajsh për “inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut” duke parë ëndrra me revolucione, dorëheqje, pushtet dhe duke prodhuar deri edhe diasporë nga Prishtina e Tetova”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha sot se “Shqipëria renditet e para në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98,33 pikë”.
Marrë nga ATSH


















