
Ekonomia në rritje, MF: 3 miliardë euro më shumë qarkullim nga bizneset dhe 148 mijë subjekte të regjistruara
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit për periudhën 2025–2026 janë rreth 1,2 miliardë euro më të larta krahasuar me vitin 2024.

Aktiviteti ekonomik dhe treguesit fiskalë kanë shënuar rritje gjatë vitit 2026, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë zgjerim të qarkullimit të bizneseve, rritje të numrit të subjekteve të regjistruara dhe të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit për periudhën 2025–2026 janë rreth 1,2 miliardë euro më të larta krahasuar me vitin 2024.
Një tjetër tregues pozitiv lidhet me aktivitetin e biznesit. Për 6-mujorin e parë të vitit 2026, bizneset shqiptare kanë deklaruar rreth 3 miliardë euro më shumë qarkullim, duke shënuar një rritje prej 7% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2025.
Edhe numri i bizneseve të regjistruara ka ardhur në rritje. Deri në qershor 2026, pranë Administratës Tatimore rezultojnë 148 270 biznese të regjistruara, ose 12% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në sektorin bujqësor, gjatë periudhës 1–27 korrik, janë paraqitur 2 397 aplikime nga fermerët për kompensimin e TVSH-së 10%. Vlera totale e kërkuar për kompensim arrin në 587 milionë lekë.
Të dhënat e institucioneve fiskale tregojnë gjithashtu për një zgjerim të aktivitetit ekonomik dhe formalizimit të biznesit, me rritje të bazës së subjekteve që deklarojnë aktivitet dhe kontribuojnë në të ardhurat publike.
Referuar statistikave, shënohet rritje shërbimeve shëndetësore në zonat turistike
Paralelisht me treguesit ekonomikë, gjatë sezonit veror vijon ofrimi i shërbimeve shëndetësore në zonat turistike.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë periudhës 20–26 korrik, në qendrat shëndetësore verore u realizuan 5 355 vizita, nga të cilat 11% u përkisnin pushuesve të huaj.
Qendrat shëndetësore verore janë pjesë e shërbimit të posaçëm të organizuar gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e aksesit në kujdes shëndetësor për pushuesit vendas dhe të huaj.
Shifrat e vizitave tregojnë edhe intensitetin e fluksit turistik në zonat ku janë vendosur këto qendra, ndërsa prania e pushuesve të huaj përbën një pjesë të rëndësishme të kërkesës për shërbime shëndetësore gjatë sezonit.
Burimi ATSH



















