
Ambasada amerikane: Ambasadori Wendt do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë uroi sot jenerallejtënantin në pension Eric Wendt për konfirmimin në detyrën e ambasadorit të ardhshëm të SHBA-së në Shqipëri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë uroi sot jenerallejtënantin në pension Eric Wendt për konfirmimin në detyrën e ambasadorit të ardhshëm të SHBA-së në Shqipëri.
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri!”, thuhet në një postim të ambasadës në rrjetet sociale.
Ambasada shprehet se e pret me kënaqësi ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, ku thekson ambasada, ai do të mbështesë vizionin e Presidentit Donald Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane.
Me 50 vota pro, 44 kundër dhe gjashtë senatorë, të cilët nuk votuan, Senati miratoi gjenerallejtënantin Eric Wendt si ambasador të SHBA-së në Shqipëri, sipas www.senate.gov.
Eric Wendt, 61 vjeç, ka qenë pjesë e forcave speciale ”Green Beret”.
Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
“Ai është fitues i shumë çmimeve dhe nderimeve, duke përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar në Mbrojtje, Medaljen e Shërbimit të Shquar (me një tufë gjethesh lisi), Medaljen e Yllit të Bronztë dhe Çmimin Superior të Nderit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së”, sipas www.senate.gov.
Marrë nga ATSH


















