
Malaj: Flukse të larta udhëtarësh gjatë sezonit veror, Dogana shërbim 24-orësh
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se Dogana Shqiptare po menaxhon me efikasitet fluksin e lartë të udhëtarëve gjatë sezonit veror, duke garantuar procedura të shpejta, të sigurta dhe shërbim të pandërprerë në të gjitha pikat doganore.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se Dogana Shqiptare po menaxhon me efikasitet fluksin e lartë të udhëtarëve gjatë sezonit veror, duke garantuar procedura të shpejta, të sigurta dhe shërbim të pandërprerë në të gjitha pikat doganore.
Malaj theksoi se vetëm gjatë muajit korrik, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” kanë udhëtuar mbi 1.8 milionë pasagjerë, ndërsa janë regjistruar rreth 9 500 fluturime, çka dëshmon intensitetin e lartë të lëvizjeve në kulmin e sezonit turistik.
Sipas ministrit, edhe pikat doganore detare kanë përballuar me sukses fluksin e udhëtarëve.
Nga Porti i Durrësit kanë kaluar rreth 111 mijë pasagjerë dhe 40 mijë automjete, ndërsa Porti i Sarandës ka përpunuar 131 mijë pasagjerë dhe 250 automjete. Në Portin e Vlorës, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 17 mijë pasagjerë dhe rreth 5 mijë mjete.
Malaj nënvizoi se Dogana Shqiptare ofron shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes së pasagjerëve dhe mjeteve në të gjitha pikat kufitare.
Ministri ftoi qytetarët që, përpara udhëtimit, të informohen mbi rregullat doganore përmes Manualit Doganor të Pasagjerit, i cili mund të aksesohet duke skanuar kodin QR ose në faqen zyrtare të Doganës Shqiptare.
Sipas tij, ky manual ndihmon udhëtarët të njihen me procedurat dhe detyrimet doganore, duke lehtësuar kalimin në kufi dhe duke shmangur vonesat.
Burimi ATSH


















