
Rama: Ligji për zonat e mbrojtura do të përputhet 100% me direktivat e BE-së
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ligji për zonat e mbrojtura do të rishikohet për t’u përputhur plotësisht me direktivat e Bashkimit Europian, ndërsa theksoi se ndryshimet e bëra më herët janë hartuar në përputhje me standardet europiane.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ligji për zonat e mbrojtura do të rishikohet për t’u përputhur plotësisht me direktivat e Bashkimit Europian, ndërsa theksoi se ndryshimet e bëra më herët janë hartuar në përputhje me standardet europiane.
Duke marrë fjalën gjatë takimt që u zhvillua sot në Tiranë me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar, Rama tha se qeveria ka zgjeruar sipërfaqet e zonave të mbrojtura, ka shtuar kategoritë e mbrojtjes dhe ka kaluar nga një qasje e mbrojtjes formale në një sistem menaxhimi të tyre.
“Ndryshimet e vitit 2024 në atë ligj u përdorën pa pushim dhe vijojnë të përdoren si benzinë nga individë me axhendat e tyre politike, përfshirë edhe eurodeputetë që, në rastin më të mirë, nuk e kanë lexuar fare se çfarë është ndryshuar, ndërsa në rastin më të keq kanë dashur të luajnë rolin e viktimave të imperializmit amerikan. Ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën europiane. Nuk është fjala ime kundër atyre që mendojnë ndryshe, por ka një proces të zbatimit të kalendarit të negociatave për ta përputhur ligjin 100 për qind me direktivat e Bashkimit Europian. Ky konflikt i stisur do të zgjidhet në rrugën e negociatave, ku nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit Europian”, tha Rama.
Rama theksoi gjithashtu se mbrojtja e biodiversitetit dhe e zonave natyrore ka qenë një prioritet i qeverisë, duke përmendur zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe përpjekjet për menaxhimin e tyre.
Sipas kryeministrit, debati i krijuar rreth këtij ligji lidhet edhe me diferencën mes pritshmërive të krijuara dhe realitetit të zhvillimit të zonave natyrore e turistike.
/Marrë nga ATSH


















