
Shqipëria dërgon togë të Forcave të Armatosura në brigadën shumëkombëshe në Rumani
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në brigadën shumëkombëshe që ndodhet në Rumani.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në brigadën shumëkombëshe që ndodhet në Rumani.
Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, Nufi bëri të ditur se ky vendim vjen në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë për rritjen e kontributit në misionet ndërkombëtare dhe në mbështetje të sigurisë kolektive të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua projektvendimi për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë tek brigada shumëkombëshe që ndodhet në Rumani. Ky projektvendim është në vijim të të gjitha angazhimeve të qeverisë shqiptare për një angazhim shtesë në misionet ndërkombëtare”, u shpreh ministri.
Sipas tij, Shqipëria do të bëhet pjesë e kësaj brigade shumëkombëshe në Rumani, si pjesë e kontributit të krahut juglindor dhe masave mbrojtëse që Aleanca ka parashikuar për këtë pjesë të Ballkanit dhe të rajonit.
“Ky mision shtesë është në vazhdën e të gjitha misioneve të tjera që kemi dhe angazhimi i trupave tona do të jetë i tillë që do të ndikojë në forcimin e sigurisë, si në rajonin e Rumanisë ashtu edhe në këtë shtet”, deklaroi Nufi.
Ministri theksoi se pjesëmarrja e Forcave të Armatosura shqiptare në këtë mision mbështetet edhe në eksperiencën e krijuar nga angazhimet e mëparshme ndërkombëtare, gjithmonë në kuadër të sigurisë kolektive të Aleancës së NATO-s.
Marrë nga ATSH


















